Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve ka deklaruar se interesi për vaksina është rritur.
“Kemi një rritje në përqindjet e vaksinimit për dozat e para e të dyta, si dhe dozat e treta në dy javët e fundit. Kjo ka sjellë një rritje të mbulesës me vaksina në vend, që po arrin përreth 40% në popullatë e përgjithshme dhe përreth 50% në popullatën target. Kjo vjen si pasojë e një pune të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor, të të gjithë personave që janë të angazhuar në procesin e vaksinimit dhe pasjes së vaksinave. Kanë ardhur mbi 2 milionë vaksina me një përqindje thuajse të njëjtë me Pfizer dhe Coronavac, ku mbizotëron Pfizer. Përqindje të lartë vaksinimi ka Bashkia e Tiranës, me mbi 57%, si dhe Bashkia Himarë, Sarandë e të tjera me 80% vaksinimi. Ka dhe bashki me nivel të ulët vaksinimi, me të cilat po punohet.
Vihet re që kemi një besueshmëri tepër të lartë të popullatës te personeli shëndetësor, gjë që është tejet e rëndësishme. Ka një rritje të menjëhershme të aplikimit edhe për dozat e treta të vaksinës, gjë që është shumë e rëndësishme për përhapjen e variantit Omicron në vend, i cili është më i transmetueshëm. Edhe vaksinimi ndaj gripit po ecën jashtëzakonisht mirë. Kemi qarkullim të gripit në vend, prandaj kush nuk është vaksinuar, duhet të vaksinohet. Kemi qarkullim të gripit A në vend”, u shpreh Bino./albeu.com