Një provë e kryer nga Kina me një raketë balistike ndërkontinentale në Paqësorin Jugor ka shtuar shqetësimin te shtetet e rajonit dhe ka rikthyer në qendër të diskutimit garën ushtarake në Azi-Paqësor.
Të lidhura
None found
Agjencia shtetërore kineze Xinhua raportoi se raketa u hodh nga një nëndetëse me energji bërthamore në ujëra ndërkombëtare dhe mbante një kokë luftarake artificiale. Sipas autoriteteve kineze, testi rezultoi i suksesshëm, ndërsa vendet bregdetare ishin paralajmëruar më herët.
Reagimet nga jashtë nuk munguan. Penny Ëong, ministre e Jashtme e Australisë, e përshkroi testin si destabilizues për sigurinë e rajonit. Nga ana tjetër, Japonia i bëri thirrje Pekinit të rishikojë qasjen e tij, ndërsa Zelanda e Re shprehu shqetësimin se Paqësori Jugor nuk duhet të kthehet në një territor testimesh për armë me kapacitet bërthamor.
Sipas specialistëve ushtarakë kinezë, raketa e përdorur në këtë provë besohet të ketë qenë Julang-3 (JL-3), një raketë balistike ndërkontinentale që lëshohet nga nëndetëset dhe që ndodhet ende në zhvillim. Kjo raketë pritet të arrijë një rreze veprimi deri në 12 mijë kilometra dhe të ketë kapacitet për të transportuar disa koka bërthamore.
Analistët thonë se ky sistem armësh është ndërtuar për të goditur objektiva strategjikë, përfshirë qendra komanduese, baza ushtarake dhe infrastrukturë kritike, duke rritur kështu kapacitetin parandaluese bërthamor të Kinës. Gjithashtu, besohet se lëshimi është bërë nga një nëndetëse bërthamore e klasës Jin (Type 094), e cila mund të qëndrojë nën ujë deri në 70 ditë.
Kina ka në dispozicion gjashtë nëndetëse të këtij tipi, të cilat shihen si element thelbësor i strategjisë së saj të kundërpërgjigjes bërthamore. Arsyeja është se ato mund të veprojnë në fshehtësi dhe të ndërmarrin sulme edhe nëse pjesa tjetër e forcave ushtarake do të neutralizohej. Ky përbën testin e dytë të rëndësishëm të një rakete ndërkontinentale kineze në Paqësorin Jugor në më pak se një vit.
Më herët, në shtator 2024, Pekini realizoi një tjetër test me një raketë me rreze të gjatë veprimi, e cila përfundoi në një zonë të përcaktuar pranë Polinezisë Franceze. Ishte prova e parë e këtij lloji në ujëra ndërkombëtare pas më shumë se katër dekadash.
Sipas vlerësimeve të analistëve, këto lëvizje lidhen me përpjekjen e Kinës për të vënë në provë arkitekturën e sigurisë në Paqësor, e cila prej dekadash dominohet nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. Pekini kërkon të rrisë aftësinë për t’iu kundërpërgjigjur çdo sulmi dhe njëkohësisht të zgjerojë peshën e tij ushtarake në rajon, megjithëse vijon të deklarojë se nuk do të jetë pala e parë që përdor armë bërthamore.
