Qyteti australian Sidnej, ka hyrë në izolim dyjavor, pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus. Më shumë se një milion persona, në qendër dhe rajonet lindore të qytetit, tashmë janë nën masat kufizuese.
Më shumë se 80 raste të variantit tejet infektues të koronavirusit, Delta, janë konfirmuar në këtë qytet. Kryetarja e Uellsit të Ri Jugor Gladys Berejiklian, ka thënë se urdhrat për qëndrim në shtëpi, do të zbatohen deri më 9 korrik. “Kur ekziston një variant përhapës, siç është Delta, izolimi treditor nuk funksionon – nëse duam ta bëjmë këtë gjë, duhet ta bëjmë si duhet”, ka thënë ajo. “Neve na duhet të përgatitemi për numër potencialisht të madh në ditët në vijim”.
Në vazhdimësi, Australia ka pasur shifra të ulëta të përhapjes së koronavirusit dhe ky është izolimi parë në Sidnej – në qytetin më të madh – prej muajit dhjetor. Shpërthimi ri i koronavirusit është raportuar javën e kaluar në Bondi, një plazh i famshëm në zonën e Sidnejt.
Ky shpërthim është lidhur me një vozitës, i cili ka bartur pasagjerët ndërkombëtarë nga aeroporti. Ministri i Shëndetësisë Brad Hazzard, ka thënë se variant Delta – që fillimisht është identifikuar në Indi – është vërtetuar se është armik shumë i frikshëm. “Pavarësisht se çfarë hapash do të marrim në këtë moment, virusi duket se e di kundër-sulmin”, ka thënë ai.
Shpërthimi i fundit ka rritur kritikat ndaj planit të ngadalshëm të Qeverisë për vaksinim të popullatës. Deri më tani, vetëm mbi 3 për qind e popullsisë së rritur është vaksinuar plotësisht dhe rreth 35 për qind e australianëve kanë pranuar dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit.
Kritikët qeveritarë kanë argumentuar se qytetet nuk do të duhej të hynin në izolim, nëse shumica e popullsisë do të ishte vaksinuar./REL