Si t’i shpëtoni pagjumësisë pa pirë ilaçe? Eksperti ndan këshillat

Pagjumësia është një nga problemet më të mëdha që kalojnë shumë njerëz ditët e sotme. Shumë njerëz mundohen ta kalojnë duke përdorur antibiotikë.

Mirëpo, profesori dhe doktori i shkencave bujqësore, Zef Gjeta ka treguar disa mënyra të thjeshta në rubrikën “Mjekësia Alternative” në “ABC e Mëngjesit” për t’i ardhur në ndihmë të gjithë atyre që vuajnë nga ky problem.

“Të ngrënit darkë relativisht më herët. Rekomandohet që në 6-7 të jetë darka dhe kjo të mos jetë shumë e rëndë. Ne shpeshherë jemi të obliguar nga një takim, nga një mbrëmje e madhe, nga një festë dhe e shkelim, por në këto raste do të përpiqemi që të hamë ushqime më të shëndetshme. Pra, t’i largohemi sa më shumë të skuqurave, të mos hamë qepore si qepa, hudhra, preshi, sidomos kur janë të freskëta, të pagatuara sepse na ndikojnë në një trazim, jo vetëm në erë të keqe të gojës, por në një trazim të stomakut. Nuk na lë të jemi në qetësi.

Natyrisht, shkak është dieta e keqe ose ushqimet e këqija. Këtu kemi parasysh edhe teprimin me alkool është një nga shkaqet që ne na duket se na vë në gjumë, por është e kundërta, se na detyron të ngrihemi natën, të shkojmë në banjo, të jemi të trullosur. Na prish të gjithë sistemin nervor dhe nuk na lejon të bëjmë një gjumë të qetë.

Rekomandim tjetër është që të mos pijmë ujë shumë vonë, sepse stomaku bën lluk-lluk si të jetë një përrua shkëmbor.

Ne gjithashtu duhet të kujdesemi që të mos e përjetojmë shumë diçka që është jashtë nesh, pra vdekja e dikujt, shtrimi i dikujt në spital. Ne duhet të marrim të gjitha masat e duhura sa është gjallë, ta nderojmë kur ta përcjellim në varreza, por mos ta përjetojmë shumë. Sepse një përjetim i tepruar na shkatërron jetën tonë të mëtejme”, u shpreh Gjeta./abcnews.al