Ndërsa planeti dhe vendi ynë përjetojnë temperatura rekord, me siguri e keni vënë re se po djersitni pak më shumë se zakonisht.
Djersa është e dobishme pasi trupi juaj ftohet vetë, por kur bllokohet nën lëkurë mund të shkaktojë probleme.
Djersitja e tepërt, përveçse është e bezdisshme, mund të rrisë shanset për shfaqjen e skuqjes së nxehtësisë.
Kjo, e kombinuar me faktorë të tjerë rëndues si puçrrat dhe acarimi nga depilimi, mund të bëjë vërtet kërdi në lëkurën tuaj gjatë verës.
Si duket një skuqje nga nxehtësia?
Kur ka shumë nxehtësi dhe lagështi, gjëndrat e djersës mund të bllokohen. Në thelb, ju djersitni aq shumë sa lëkura juaj nuk mund të “marrë frymë”. Kështu zhvillohet një gjendje inflamatore e cila duket si njolla të vogla të kuqe ose gunga.
Këto zakonisht zhvillohen papritur, më së shumti disa orë pas episodit të djersitjes që i shkaktoi.
Në përgjithësi, është e lehtë të kemi skuqje të nxehtësisë në vendet ku lëkura jonë paloset, si sqetullat. Të gjithë djersitemi në vapë, por duhet t’i kushtoni vëmendje më të madhe foshnjave, të cilat kanë më shumë palosje trupore.
Ju mund të tundoheni të gërvishtni lëkurën tuaj sepse ajo kruhet, por mos e bëni këtë. Gërvishtja mund ta lërë lëkurën të pambrojtur ndaj baktereve dhe të rrisë rrezikun e infeksionit.
Si ta largoni atë
Mënyra më e mirë për të hequr qafe skuqjen sa më shpejt të jetë e mundur është të shmangni ekspozimin ndaj nxehtësisë në mënyrë që të mos djersiteni më. Nëse mundeni, lëvizni në një ambient me ajër të kondicionuar, bëni një dush të freskët ose vendosni kompresa të ftohta.
Kërkoni ndihmë mjekësore, veçanërisht nëse keni kruajtje të rëndë, pasi mjeku juaj mund të përshkruajë antihistamine që do të ofrojnë lehtësim të menjëhershëm nga simptomat shqetësuese.
Përveç kësaj, është shumë e rëndësishme të qëndroni të hidratuar dhe të zgjidhni rrobat e duhura me pëlhurat e duhura, veçanërisht nëse ushtroheni, ose për të parandaluar gjendjen ose për të mos e përkeqësuar atë.