Qeveria e Kosovës njoftoi zyrtarisht se është pajtuar që ta zvogëlojë praninë e forcave policore në veri dhe se njëkohësisht mbështet zhvillimin e zgjedhjeve të reja lokale në katër komunat me shumicë serbe. Ky dakordim i qeverisë është pjesë e një kërkese të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së për të ulur tensionet.
Kryenegociatori i Kosovës në dialog Besnik Bislimi, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, u takuan në Bratislavë dhe ranë dakord për hapat dhe veprimet për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës. Ky takim synonte krijimin e parakushteve për përforcimin e përqëndrimit “nё zbatimin e plotë dhe tё pakusht tё marrëveshjes bazë tё 27 shkurtit dhe aneksit tё Ohrit tё datës 18 mars”, thuhet në një komunikatë të qeverisë së Kosovës, e cila publikoi katër pikat për të cilat është rënë dakord.
Kosova e gatshme për shpërshkallëzimin e gjendjes
“Qeveria e Kosovës publikisht tregon gatishmёrinё e saj për të kontribuar për shpërshkallëzimin e situatës dhe mosndërmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё pranisё policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.
Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”, thuhet në njoftim.
Zgjedhje tё parakohshme nё komunat nё veri
Po ashtu “Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”. Dhe në fund po ashtu thuhet se “Bashkimi Evropian, do tё ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrëveshjes”. Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.
Ursula von der Leyen: Zbatoni udhërrëfyesin
Sidoqoftë java e ardhshme pritet të shënojë një fazë të re të veprimeve për të ulur tensionet në veri të Kosovës. Diplomacia perëndimore vazhdimisht ka kërkuar uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje pa kushte të serbëve të Kosovës në zgjedhje.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha para nisjes së ditës së dytë të Samitit të NATO-s, se “Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë Udhërrëfyesin për të cilën janë pajtuar”.
“Ka një plan të dedikuar dhe të qartë, një udhërrëfyes. U bëj thirrje të dyja palëve të de-përshkallëzojnë dhe t’i përmbahen udhërrëfyesit. Kjo është absolutisht vitale për të ecur përpara në mënyrë paqësore. Është e qartë se të dyja palët duhet të përmbushin atë që kanë rënë dakord”, tha kryetarja e Komisionit Evropian, Von der Leyen.
Të mërkurën paradite, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Kryeministri Kurti u ka shpjeguar ministrave dhe opinionit për marrëveshjen Kosovë- BE, të arritur në Bratisllavë, për deeskalimin në katër komunat veriore.
Kjo marrëveshje që përmban hapat e parë të deeskalimit, tërheqjen e 25 përqind të pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga dhe përreth objekteve të komunave, ka nisur të zbatohet sonte. Kjo i është konfirmuar Gazetës Express në orët e vona të mërkurën mbrëma nga Policia e Kosovës, e cila ka bërë me dije se po e zbaton vendimin e Qeverisë. Sipas marrëveshjes, zvogëlimi i numrit të policëve atje, që u dërguan pas vendosjes së kryetarëve në zyrat e komunave, do të bëhet në bazë të konsultimeve ndërmjet Policisë, KFOR’it dhe EULEX’it. Gazeta Express merr vesh se ulja e numrit të pjesëtarëve të Policisë mund të ndodhë pas 2 javësh nëse konstatohet se janë krijuar kushtet në bazë të vlerësimit, të tre institucioneve të lartpërmendura.
Krijimi i bazës ligjore për zgjedhjet
Sipas njërës prej pikave të dakordimit Bislimi -Lajçak, Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs.
“Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve” thuhet në komunikatën që e dërgoi mbrëmë qeveria. Sic mëson Gazeta, kjo ka të bëjë me miratimin e një rregulloreje per peticionin me të cilin synohet të shpallen zgjedhjet në katër komunat veriore.
Po ashtu, sipas këtyre burimeve heqja e masave të BE’së mund të shqyrtohet para të mërkurës së ardhshme, edhe pse në reagimin e tij shefi i diplomacisë europiane Josep Borell sot kërkoi të bëhen edhe hapa tjerë pozitivë drejt shtensionimit. Heqjen e masave të BE’së e ka kërkuar sot Kryeministri Kurti i cili ka thënë se
“të dyja palët duhet të kenë mundësinë që të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e BE-së”.
Ndryshe BE i ka ftuar kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë për takim në javën e ardhshme që mund të ketë në agjendë sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit.
“Emisari i ka ftuar kryenegociatorët në Bruksel javën e ardhshme për t’i vazhduar diskutimet mbi zbatimin e Marrëveshjes së re për Rrugën e Normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj, me shpresën që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që mundësojnë që zbatimi i plotë i Marrëveshjes të fillojë pa vonesë të mëtejshme”, i ka thënë të merkurën Gazetës Express zyrtarja për shtyp e BE-së, Zoï Muletier.