Si funksiononte banda me 13 të arrestuar në Romë, zbulohet roli i Elsa Lilës

Policia italiane ka zbuluar detaje të tjera në lidhje me mënyrën se si funksiononte grupi i trafikut dhe shpërndarjes së drogës në Itali, pjesë e të cilit sipas mediave vendase ishin edhe këngëtarja e njohur Elsa Lila si edhe boksieri shqiptar Petrit Bardhi.

Krahas tyre, janë arrestuar edhe 11 persona të tjerë, të cilët operonin në zonën e Acilias në Romë. Sipas mediave italiane, aktiviteti koordinohej nga një lokal lojërash fati që kishte grupi në Acilia dhe menaxhohej nga këngëtarja Elsa Lila.

Pjesë e të arrestuarve të “famshëm” është edhe Arben Zogu, i njohur si “Riccardiono”, i cili bashkë me Bardhin ishin pjesë të klanit të vëllezërve Guarnera, një bandë italo-shqiptare që merret me trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali dhe më pas shpërndarjen e tyre atje.

Orial Kolaj
Orial Kolaj

Grupi i boksierëve u shkatërrua në vitin 2015 nga policia italiane.

Ata kishin atëhere mbrojtjen e mafiozit Massimo Carminato, i njohur si “Mbreti i fundit i Romës” që merrej me disa aktivitete kriminale përfshirë gjobëvënie dhe trafik droge.

Dënimin më të rëndë e ka marrë Arben Zogu, i cili u dënua atëhere me 20 vite burg. Zogu njihej si ultras i ekipit të Lacios. Bashkë me të u arrestuan atëhere edhe Orial Kolaj “kampioni italian dhe evropian i peshave të mesme dhe maksimale” dhe Petrit Bardhi.

Arben Zogu
Arben Zogu

Orial Kolaj, i cili fitoi në vitin 2012 kampionatin italian të peshave të rënda, së bashku me dy bashkatdhetarët, Arben Zogu dhe Petrit Bardhi, ishin autorët e akteve të dhunës dhe frikësimit të të gjobiturve.