Termi ping-pong i referohet sportit të ping-pongut që e ka origjinën nga vendet aziatike. Dhe “Diplomacia e Ping-pongut”, është një pjesë e rëndësishme e historisë së Luftës së Ftohtë. Siç e dimë Republika Popullore e Kinës, u themelua në vitin 1949 pas triumfit të Revolucioni Komunist.
Më herët vendi quhej Republika Kuomintang e Kinës nën sundimin e partisë nacionaliste, e cila më vonë u përball me një luftë civile që përfundoi me fitoren e komunistëve. Pas humbjes, Partia Nacionaliste u vendos në ishullin Formosa, i njohur më shumë si Tajvan. Ajo e quajti veten Republika e Kinës.
Për një kohë shumë të gjatë, të dyja vendet janë përplasur me njëri-tjetrin se kush është Kina e vërtetë. Shtetet e Bashkuara e njohën Republikën e Kinës si Kinën e vërtetë, kryesisht për t’iu kundërvënë përhapjes së komunizmit, duke mbështetur qeverinë demokratike në Tajvan.
Për gati 20 vite, Republika e Kinës gëzoi shumë përfitime, ajo kishte një zyrë në Selinë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ndërkohë, Republika Popullore e Kinës mbajti anën e Bashkimit Sovjetik, për shkak të ideologjisë së përbashkët. Pekini e mbështeti Moskën në përhapjen e komunizmit jo vetëm brenda kufijve të tyre, por edhe në vendet fqinje. Në atë kohë nisi të ketë një rritje të rolit të Kinës në Kore, Vietnam dhe Kamboxhia.
Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, “telegrami i gjatë” i ambasadorit amerikan në Moskë, Xhorxh Kenan, drejtuar presidentit Herri S. Truman, u bë baza e “Doktrinës Truman” që synonte frenimin e përhapjes së komunizmit në botë. Ai momenti shënoi fillimin e ndërhyrjeve të huaja në mbarë botën.
Në vitin 1950, Mao Ce Duni dhe Josif Stalin nënshkruan Traktatin Sino-Sovjetik të Miqësisë dhe Ndihmës së Ndërsjellë. Ai traktat zyrtarizoi marrëdhëniet midis dy vendeve komuniste. BRSS premtoi 300 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Kinën. Por më vonë, nisën të bëhen më të dukshme dallimet brenda të dyja modeleve të ndjekura nga Kina dhe Bashkimi Sovjetik.
“Hapi i Madh Përpara” nën drejtimin e Maos, që u përpoq të përsëriste modelin industrial sovjetik, dështoi duke sjellë pasoja katastrofike. Pas vdekjes së Stalinit, Nikita Hrushov e vazhdoi Luftën e Ftohtë me thuajse të gjitha politikat e Stalinit. Por Mao dhe Hrushov kishin shumë mosmarrëveshje midis tyre.
Në vitin 1956, Hrushovi u përqendrua te destalinizimin e BRSS, duke zhdukur kultin e personalitetit, dhe u përpoq të rregullonte marrëdhëniet me Kinën. Por Mao vendosi të vazhdonte politikat marksiste-leniniste që ndoqi Stalini. Nga viti 1958 e në vazhdim, marrëdhëniet midis Republikës Popullore të Kinës dhe Bashkimit Sovjetike nisën të përkeqësohen.
Arsyeja kryesore e përplasjes ishte se si nën drejtimin e Maos Kina po dështonte si brenda vendit, po ashtu edhe për ta projektuar fuqinë e saj në rajon. Së paku, ajo duhej të gjente një zgjidhje për Tajvanin. Ndaj filloi të kërkojë më shumë ndihmë nga BRSS, përfshirë teknologjinë bërthamore.
Ajo u pasua nga provokimi kinez në Ngushticën e Tajvanit, ku Mao u përpoq i vetëm të pushtonte Tajvanin, por duke mos arritur objektivin e tij. I alarmuar nga provokimi kinez, Nikita Hrushovi vendosi të mos mbështeste më Kinën, duke nisur të kishte qasjen e bashkëjetesës paqësore me Perëndimin.
BRSS besonte se nuk duhet të hynte në një konfrontim me fqinjët që ishin aleatë me SHBA-në, pasi Uashingtoni kishte vendosur armë bërthamore në Tajvan. Ndaj Moska anuloi propozimin për t’i dhënë Kinës bomba bërthamore. Ai ishte momenti kur presidenti i SHBA-së, Duajt Ajzenhauer, u fokusua më shumë tek armët bërthamore dhe në uljen e tensioneve me Bashkimin Sovjetik.
Nga ana tjetër Mao donte që BRSS të ishte më agresive në politikën e jashtme. Kriza e Raketave Kubane, kur Hrushovi u detyrua të largonte raketat bërthamore nga Kuba, përfaqësonte një poshtërim të madh për të. Mao e konsideroi si një poshtërim për të gjithë Bllokun Sovjetik, pasi donte që BRSS të përballej me SHBA-në, ndoshta edhe në një luftë të drejtpërdrejtë.
Kjo ishte për të një vijë e kuqe. Ndaj i ndërpreu lidhjet me BRSS-në. Hrushovi u kundërpërgjigj, duke thënë se politikat e Kinës rrezikojnë të përshkallëzojnë situatën në Azinë Lindore. Mao shpalli Teorinë e Tri Botëve. Ai vendosi SHBA-në dhe BRSS në Botën e Parë, dhe ai besonte se kjo e fundit po përpiqej të kontrollonte “dy botët” e tjera.
Pekini dhe Moska u përpoqën të përmirësonin marrëdhëniet midis tyre në negociatat e Bukureshtit në Rumani, por pa sukses. Madje, në vitin 1969, pati edhe një përplasje të armatosur në kufirin e përbashkët. Tashmë ndarja ishte e madhe.
Në fillim presidentët Xhon Kenedi dhe më pas Lindon Xhonson besonin se Kina ishte më e rrezikshme sesa BRSS. Kjo ide lindi kryesisht nga Lufta e Vietnamit, ku Kina po mbështeste Veriun dhe SHBA-ja Jugun. Gjërat ndryshuan në vitin 1968 kur Riçard Nikson po garonte për president.
Ai foli për “diplomacinë trekëndore”, ku premtoi të angazhohej me Moskën dhe Pekinin. Lufta e Vietnamit ishte atëherë në kulmin e vet, dhe SHBA donte të përfitonte nga përçarja në kampin komunist. SHBA-ja nën drejtimin e Niksonit dhe Kisingerit, menduan të afroheshin me Kinën për ta kundërvënë akoma më shumë me Bashkimin Sovjetik.
Në vitin 1971 u mbajt Kampionati Botëror i ping-pongut në Nagoja të Japonisë, dhe në të merrnin pjesë ekipet e SHBA-së dhe Kinës. Glen Kouan i ekipit amerikan dhe Zhuang Zedong i ekipit kinez u takuan, dhe ai akt tërhoqi vëmendjen e gjithë botës.
Kinezët e mirëpritën Glen në autobusin e tyre, pasi i tiji kishte ikur. Ai incident u pasua me ftesën e kinezëve që ekipi amerikan të vizitonte Kinën. SHBA e pranoi me kënaqësi ftesën dhe dërgoi një delegacion prej 11 anëtarësh. Ekipit amerikan iu bë një pritje madhështore, dhe ai zhvilloi disa ndeshje miqësore.
Shumë gjëra ndodhën gjatë këtij udhëtimi, duke përfshirë shkëmbimin kulturor, mikpritjen, sportin, propagandën kineze etj. I gjithë plani në SHBA u parashtrua dhe u hartua nga Sekretari i Shtetit, Henri Kissinger. Gjithçka ishte pjesë e Doktrinës më domethënëse të Niksonit që bazohej te Realpolitika: Interesat kanë më shumë rëndësi sesa ideologjia.
Pas “Diplomacisë së Ping-pongut”, vetë Kisinger zhvilloi një vizitë sekrete në Pekin nga Pakistani. Pas disa kohësh ai do të rikthehej, këtë herë gjatë një vizite zyrtare të presidentit Nikson në Kinë dhe takimit historik me Maon.
Disa vite më vonë SHBA-ja e njohu zyrtarisht Kinën komuniste, e cila mori vendin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Me vdekjen e Maos dhe nën drejtimin e Ten Hsiao Pin, u ndërmorën shumë reforma që e futën Kinën në hartën ekonomike botërore./CNA.al/