Shtyrja e gjyqit ndaj Sali Berishës, GJKKO tregon arsyet

Gjykata e Posaçme, ka treguar arsyet e shtyrjes së seancës gjyqësore ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili kishte kërkuar revokimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” ndaj tij.

Sipas GJKKO-së, ish-kryeministri Berisha, refuzoi të firmosë fletëthirrjen dhe nuk u paraqit as në seancën e sotme gjyqësore.

Ndërkohë, argumentohet se duke qenë se Berisha ndodhet me masë sigurimi “arrest në shtëpi“, nuk rezulton vullneti i tij lidhur me të drejtën për të marrë pjesë në këtë gjykim ose jo, për sa kohë nuk mund të paraqitet si shtetas i lirë në gjykatë.

Sali Berisha, i cili ndodhet me masë sigurimi personal “arrest në shtëpi” kishte refuzuar të firmosë fletëthirrjen, dokumentuar nëpërmjet kopjes së saj, të kthyer në gjykatë, të nënshkruar nga specialistët e zonës.

Gjykata ndonëse konstatoi refuzimin për të nënshkruar, e konsideroi njoftimin si të kryer. Pavarësisht dijenisë personalisht për datën dhe orën e zhvillimit të seancës së sotme gjyqësore, në kushtet që kërkuesi/i hetuari Sali Berisha ndodhet me masë sigurimi personal shtrëngues “arrest në shtëpi“, nuk rezulton vullneti i tij lidhur me të drejtën për të marrë pjesë në këtë gjykim ose jo, për sa kohë nuk mund të paraqitet si shtetas i lirë në gjykatë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë seanca e radhës, do të zhvillohet më 8 Mars në orën 09:00.

Njoftimi:

“Sot në datë 04.03.2024, ditë e Hënë, ora 11.00, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Irena Gjoka, u zhvillua seanca gjyqësore për marrjen në shqyrtim të kërkesës penale regjistruar pranë kësaj gjykate, me nr. 125 regj themeltar, datë 23.02.2024, që i përket:

KËRKUES: Sali Berisha, i biri i Ram-ës dhe i Shiqere-s, dtl.15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr.personal E40701031R, përfaqësuar me prokurë të posaçme nga av.Genc Gjokutaj dhe av.Sokol Mëngjesi.

OBJEKTI: Kërkohet revokimi i masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr.112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vazhduar zbatimi me Vendimin nr.117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj kërkuesit lënë në fuqi me vendimin nr.56, date 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndryshuar me vendimin nr.520, date 30.12.2023, lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

BAZA LIGJORE: Nenet 228, 229, 260 të Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata pasi kreu verifikimin e paraqitjes së palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht, kërkuesi/i hetuari Sali Berisha. Referuar akteve respektive të njoftimit të depozituara nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore, Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë, rezultoi se shtetasi nën hetim Sali Berisha, i cili ndodhet me masë sigurimi personal “arrest në shtëpi” kishte refuzuar të firmosë fletëthirrjen, dokumentuar nëpërmjet kopjes së saj, të kthyer në gjykatë, të nënshkruar nga specialistët e zonës.

Gjykata ndonëse konstatoi refuzimin për të nënshkruar, e konsideroi njoftimin si të kryer. Pavarësisht dijenisë personalisht për datën dhe orën e zhvillimit të seancës së sotme gjyqësore, në kushtet që kërkuesi/i hetuari Sali Berisha ndodhet me masë sigurimi personal shtrëngues “arrest në shtëpi“, nuk rezulton vullneti i tij lidhur me të drejtën për të marrë pjesë në këtë gjykim ose jo, për sa kohë nuk mund të paraqitet si shtetas i lirë në gjykatë.

Në këto kushte, Gjykata vendosi të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor dhe të shtyjë seancën për në datën: 08.03.2024, ditë e premte ora 09.00”.


Shtuar 4.03.2024 12:58