“Shtëpitë e kanabisit” po lulëzojnë në Shqipëri, dy detajet që i tradhëtojnë tek policia

Kultivimi i kanabisit në ambiente të mbyllura është një fenomen i cili po lulëzon në vendin tonë. Sipas ekspertëve, është një nevojë e re që krijohet në pamundësi për të mbjellë në plantacione të hapura.

“Fillimi i sezonit turistik duhet të përballojë nevojat që ka tregu për këto lëndë narkotike dhe e dyta, duhet që të facilitojnë shumë procese të cilat në plantacionet e hapura natyrore nuk bëhen dot”, është shprehur eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço.

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço shprehet për klan nevvs se në Shqipëri po përshtatet modeli anglez i shtëpive të kanabisit. Sipas tij për goditjen e këtyre grupeve kriminale, duhet të merret metodë e policisë britanike.

“Krimi i organizuar është bërë shumë i zgjuar dhe ka marrë modelin anglez. Shtëpitë e barit i ka të organizuara për shkak se nuk ka diell. Ne jemi një vend që kemi 300 ditë diell në vit, por këto shtëpi i kemi modifikuar në mënyrë të tillë që të kemi mundësi, t’ju fshihemi gjithë këtyre mbikëqyrjeve ajrore. Një mundësi për të evidentuar ambientet ku kultivohet kanabisi, sipas Karamuços mund të jetë duke bashkëpunuar me institucionet e UKT dhe OSHEE-së.

“Duhet të jetë një metodë komplet e re, metodë organizimi inteligjente, ku nuk futet vetëm policia. Edhe OSHEE dhe Ujësjellësi, ne mund t’i shikojmë dhe mund t’i dallojmë shumë mirë kush janë këto. Sigurisht që kërkon një bashkëpunim të madh të policisë edhe në këto korporata”, është shprehur ai.

Në ditët e fundit u zbuluan nga policia tre ambiente në Tiranë, Krujë dhe Lushnjë, të cilat shërbenin për rritjen e bimëve narkotike në kushte laboratorike./tv klan

Shtuar 12.06.2021 22:48