Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Republikën e Kosovës, ka deklaruar se sot nuk pritet ndonjë vendin për masat anti-Covid 19 në Kosovë.
Ministri Krasniqi ka konfirmuar se sot do të dëgjohen rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë, e nëse do ketë propozime konkrete, të njëjtat do t’i barten për miratim kabinetit qeveritar.
“Sot mblidhemi në Komitetin shtetërorë dhe dëgjohen rekomandimet, raporti dhe propozimet e profesionistëve të fushës, ku ne si qeveritar jemi dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Pastaj propozimet eventuale, i kalohen kabinetit qeveritar për miratim. Pra, në këtë takim nuk ka as ndryshim, as lehtësim masash e as shtrëngim. Më tej, çfarëdo që ka i kalohet kabinetit qeverisës, meqë qeveria vendos,” -tha Krasniqi në ‘RADIO 1′.
Më tej, ministri Krasniqi, tha se nuk mund të konfirmojë nëse edhe ditën e premte, pritet ndonjë ndryshim masash.
“Nuk kam informacion të tillë e them krejt varet nga propozimet që dalin nga takimi i sotëm”, shtoi ai.
Ndryshe, në cilësinë e Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka takuar sot kryetarët e komunave të Kosovës, në një takim të parë për vitin kalendarik 2022,disa prej të për herë të parë, meqë fituan mandatin nga zgjedhjet lokale të 2021-ës.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka bërë të ditur se sot do të bëhet shqyrtimi i masave kundër COVID-19, nga komiteti për menaxhimin e pandemisë, duke filluar nga ora 14:00.
Në këtë mbledhje do të bëhet vlerësimi i situatës epidemiologjike dhe analizimi i vendosjes së masave të reja.
Raportohet se ora policore mund të përgjysmohet ose edhe të largohet, kurse orari për gastronominë do zgjatet deri në ora 23:00.
Edhe masa për dëshminë e tri vaksinave për të hyrë në Kosovë pritet të hiqet.
Avokati i Popullit para pak ditësh ka dalë me një opinion juridik përmes së cilit i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës t’i rishqyrtojë masat anti-COVID që janë në fuqi./express