Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me pesë vjet burgim një shtetas të Kosovës për pjesëmarrje në luftën në Siri.
Gjykata tha se i akuzuari Y.B, u gjet fajtor për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, por ka hedhur poshtë akuzën për “Lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit”.
Sipas njoftimit, Y.B, më 2013, kishte udhëtuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” për në Turqi dhe më pas drejt Sirisë, “dhe ka ka filluar ushtrimet ushtarake më qëllim që të marrë pjesë në luftime në kuadër të organizatës terroriste Abal-al-Nusra ‘Daela-Islamia’, e cila më vonë është njohur si grupi militant Shteti Islamik”.
Ai, sipas gjykatës, kishte qëndruar në Siri deri më 28 maj 2022, kur është kthyer në Kosovë.
Më 28 maj të vitit 2022, Kosova dhe Shqipëria, riatdhesuan 15 shtetas të tyre. Tirana njoftoi se riatdhesoi 13 shtetas, ndërkaq Prishtina dy. Ky operacion u mbështet nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas Gjykatës Themelore, akuzuarit do t’i llogaritet koha e qëndruar në paraburgim, ndërkaq të drejtë ankese për këtë aktgjykim palët kanë në Gjykatën e Apelit.
Më 2015, Kosova ka miratuar një ligj të posaçëm që sanksionon pjesëmarrjen në luftërat e huaja, ku parashihen dënime deri në 15 vjet burgim./rel/