Shqiptarët mbushën qelitë, Anglia gati të ndërtojë një burg në Shqipëri për t’i sjellë në vendlindje

Shqipëria dhe Britania e Madhe nënshkruan së fundmi një marrëveshje për shkëmbimin e të dënuarve në institucionet e burgimit. Pala angleze duket se ka pranuar propozimin që të asistojë financiarisht për strehimin e shqiptarëve që pritet të transferohen në vend, edhe nëpërmjet ndërtimit të një burgu të ri.

Britania e Madhe është treguar e gatshme të ndërtojë një burg të ri ose të rinovojë një ekzistues në Shqipëri për të transferuar aty shqiptarët e dënuar nga gjykatat britanike.

Propozimi mësohet se u bë ditë më parë nga qeveria shqiptare, përkatësisht nga ministrja Etilda Gjonaj, në kuadër të nënshkrimit të një marrëveshjeje dypalëshe që thjeshtëzon rregullat për personat e dënuar që ta vuajnë dënimin e plotë në vendet përkatëse.

Marrëveshjen e bashkëfirmosi homologu i saj, Kris Filp, dhe ideja u shtjellua me ministra e zyrtarë të tjerë anglezë të cilët informuan mediet lokale se kanë në plan të ndihmojnë financiarisht sistemin penitenciar shqiptar.

Shumica e shqiptarëve të dënuar në Britani janë pjesëtarë bandash kriminale në fushën e trafikimit të drogave ose qenieve njerëzore.

Shtetasit nga Shqipëria përbëjnë numrin më të madh të huajve në burgjet e vendit, dhe duke ditur shifrën 1,500 dhe shërbimin e burgut 44,600 paund për person, strehimi i shqiptarëve i kushton britanikëve rreth 70 milionë paund çdo vit.

Për transferimin e shtetasve drejt Shqipërisë është zbatuar deri tani marrëveshja e vitit 2013.

Që nga muaji prill nga Britania janë larguar 254 të dënuar shqiptarë dhe 85 të tjerëve u është mohuar e drejtë të hyjnë në vend. /oranews

 


Shtuar 2.08.2021 15:47