Shqipëria shteti me vdekshmërinë më të lartë nga Covid 19, presidenti Meta “leksion” Komitetit Teknik

Presidenti i vendit Ilir Meta i bën thirrje Komitetit Teknik të Ekspertëve që të rishikojnë të gjitha protokollet dhe masat që janë marrë në kuadër të mirëmenaxhimit të pandemisë.

Reagimet Meta i bëri pas raportit të FMN-së, ku theksohej se Shqipëria ishte shteti me vdekshmërinë më të lartë nga Covid në Europë.

Presidenti shprehet se duhen korrigjuar gabimet e deritanishme dhe të përmirësohet menaxhimi i situatës Covid, me qëllim uljen e pasojave te njerëzit.

Deklarata e Metës:

Renditja e Shqipërisë si vendi me vdekshmëri më të lartë në Europë nga COVID-19 sipas FMN, është një fakt alarmant, që duhet të merret shumë seriozisht, për më tepër që vendi ynë është ende me moshë mesatare më të re të popullatës krahasuar me vendet e tjera të BE.

I bëj thirrje, Komitetit Teknik të ekspertëve dhe autoriteteve të analizojnë me përgjegjësi këto të dhëna, si të rishihen me përgjegjësi të gjitha protokollet, masat për parandalimin dhe trajtimin e pandemisë, në mënyrë transparente dhe bashkëpunuese me qytetarët.

Duhen zbuluar dhe eliminuar pikat e dobëta dhe duhet ndërhyrë urgjentisht për të parandaluar këtë shkallë të lartë të humbjeve të jetëve.

Jemi ende në valën e pandemisë dhe ndërhyrjet përmirësuese dhe korrigjuese të masave antiCovid duhet të ndërmerren sa më parë./albeu.com/