Shqipëria, përkeqësim të përgjigjes ndaj emergjencave shëndetësore

Me gjithë hapat e rëndësishëm që kanë marrë vendet për t’iu përgjigjur pandemisë së COVID-19, të gjitha, pavarësisht nivelit të të ardhurave që kanë, mbeten në mënyrë të dukshme të papërgatitura për t’iu përgjigjur kërcënimeve epidemike dhe pandemike, mes tyre edhe Shqipëria. Ky ishte mesazhi që përcolli raporti i fundit i Indeksit Global të Shëndetësisë për vitin 2021.

Shqipëria është renditur në vendin e 59 nga 195 që ishte totali i vendeve të marra në analizë. Por cilat aspekte të sigurisë shëndetësore të marra më vete kanë shënuar përmirësim apo përkeqësim në raport me vitin 2019 kur është publikuar për herë të fundit ky indeks?

Ajo që paraqitet me përkeqësim është detektimi apo zbulimi, që ka një rënie të pikëve me 5.4. Tek kjo kategori – mbikëqyrja, aksesi në të dhëna dhe transparenca – janë ato ku janë bërë hapa pas, ndërkohë që dhe investigimet të bazuara në raste janë përkeqësuar vazhdimisht. Forca punëtore epidemiologjike dhe zinxhirët e furnizimit të laboratorëve kanë mbetur të pandryshuar.

Përgjigjja është treguesi i tretë që përbën indeksin dhe ka shënuar vlerë 38.1, me rënie me 5.4, duke na renditur në vendin e 79 në botë vetëm për këtë tregues. Rënia më e madhe ka qenë në nënkomponentin e aksesit në infrastrukturën e komunikimit dhe të kufizimeve për të udhëtuar dhe të tregtisë. Në përmirësim ishin përgatitja për emergjencë dhe plani për t’iu përgjigjur asaj.

I vetmi indikator ku Shqipëria ka përmirësim është ai i shëndetit, i cili lidhet me infrastrukturën e nevojshme, pra për numrin e klinikave dhe spitaleve, si dhe të stafit mjekësor në dispozicion. Këto të fundit janë më mirë sesa në vitin 2019, por diferenca më e madhe është bërë nga nënkomponenti i zinxhirit të furnizimit në sistemin shëndetësor dhe punonjësit në fushën e shëndetësisë.

Një tjetër tregues i marrë në analizë është ai për normat ku ka një rënie të pikëve me 2.9 në raport me 2019-n dhe angazhimet ndërkombëtare dhe financimin.

I fundit është treguesi i riskut, me një rënie me 3.1 të pikëve të indeksit në raport me vitin 2019 dhe ai tregues që e rendit më keq vendin tonë, nëse vlerësohet më vete. Shqipëria renditet e 121 mes 195 vendeve vetëm për këtë tregues dhe çfarë shihen si problematike është rreziku i sigurisë dhe politikës, rezistenca socio-ekonomike, rreziqet mjedisore dhe dobësitë e shëndetit publik.

“Shqipëria çalon për infrastrukturën e amortizuar dhe mungesë burimesh njerëzore”

Flet Erion Dasho, mjek dhe ekspert i shëndetësisë

Indeksi Global i Sigurisë Shëndetësore e paraqet Shqipërinë me një përkeqësim të nivelit të përgjigjes ndaj emergjencave shëndetësore. Eksperti i shëndetësisë, Erion Dasho, thotë për “Monitor” se, Shëndeti publik, prej vitesh nuk ka qenë prioritet për qeverinë shqiptare, është lënë në dorë të amatorëve, nuk është investuar siç duhet në drejtimet e duhura. Ai evidenton si problem infrastrukturën e spitaleve, si dhe mungesën e burimeve njerëzore.

Sipas këtij Indeksi, të përgatitur nga Qendra Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore në vitin 2021, Shqipëria është renditur në vendin e 59 nga 195 vende të marra në analizë. Elementi që ka pasur më tepër përkeqësim, sipas raportit, ka qenë aftësia për detektim të situatave shëndetësore. A e shihni reale këtë mangësi në kontekstin shqiptar?

Gjykoj se, realisht ne kemi mangësi të theksuar kur vjen puna për evidentimin e situatave dhe kjo u pa gjatë menaxhimit të situatës së pandemisë. Patëm dy anë: ose mosnjohje të situatës apo interpretim tjetër, kur gjatë gjithë pandemisë, shqiptarëve u thuhej se, ne ishim një nga vendet që e kontrollonim më mirë Covid, ndërkohë që të dhënat subjektive, pra ato që vinin nga pacientët, flisnin për shtëpi të kthyera në spitale, për një situatë problematike në periudhën e vjeshtës dhe të dimrit.

Po kështu, kur dolën të dhënat e vdekshmërisë së përllogaritur, rezultoi se Shqipëria kishte 16 mijë vdekje nga Covid. Mendoj se ky indikator tregon realisht se Shqipëria është e paaftë të verifikojë çfarë është duke ndodhur në terren, ose është fshehje e qëllimshme.

Një tjetër element i konsideruar problematik, sipas raportit, është dobësia e shëndetit publik. Çfarë mendoni se mund të përmirësohet më tej në kushtet e një pandemie globale që po zgjat?

Shëndeti publik, prej vitesh, nuk ka qenë përparësi për qeverinë shqiptare, është lënë në dorë të amatorëve, nuk është investuar siç duhet në drejtimet e duhura. Për shembull, studentët që kanë përfunduar studimet në lëndët e shëndetit publik, janë të papunë.

Dhe në institucionet tona shëndetësore gjen shpesh persona pa arsimin përkatës, që vijnë nga fusha të cilat nuk lidhen direkt me shëndetin. Mjafton ky indikator që të tregojnë se përparësi nuk ka qenë shëndeti publik, ndaj jemi në këtë situatë të cilën e nxjerr në pah edhe raporti në fjalë.

I vetmi indikator ku Shqipëria ka përmirësim është ai që lidhet me infrastrukturën e nevojshme – për numrin e klinikave dhe spitaleve, si dhe të stafit mjekësor në dispozicion. A e shihni këtë tregues real?

Për sa u takon klinikave, duhet të dallojmë spitalet nga qendrat shëndetësore. Në vitet e fundit ka pasur një iniciativë të mirë të shëndetësisë për të rinovuar qendrat shëndetësore, një program i cili quhet 300 qendra. Për mendimin tim, ky ka qenë një investim i drejtë, sepse qendrat shëndetësore kanë nevojë për pak investime, për t’u kthyer në një institucion shëndetësor që është i përshtatshëm për të ofruar kujdes mjekësor.

Deri para disa viteve, ka pasur qendra shëndetësore ku pikonte çatia, apo degradime të tjera të amortizimit të infrastrukturës, gjë e cila u zgjidh. Por nuk e di se sa u shoqërua kjo edhe me zëvendësimin e pajisjeve mjekësore, që janë një ndër imputet e rëndësishme të kujdesit shëndetësor. Sa u përket spitaleve, mendoj se infrastruktura e spitaleve publike në Shqipëri, është tërësisht e amortizuar dhe e papërshtatshme për të ofruar kujdes shëndetësor modern.

Të gjitha spitalet janë ende të modeleve sovjetike, me godina të amortizuara që nuk lidhen me ura brenda të njëjtit spital. Në të gjitha spitalet moderne, ka infrastrukturë nëntokësore, ku janë të përqendruara shërbimet mbështetëse spitalore, si laboratorë, radiologji etj., ose edhe shërbime mbështetëse joklinike si menaxhimi, teknologjia e informacionit, lavanderia, kuzhina etj., gjë që mungon si model në Shqipëri.

Prej shumë vitesh kam rekomanduar që nevojitet një plan zëvendësimi / rregullimi gradual, për të zëvendësuar një spital rajonal çdo dy ose tre vjet. Kjo do të bëjë që, Shqipëria, brenda një afati 15-vjeçar, të zëvendësojë këtë strukturë të amortizuar spitalore. Ndërsa sa u përket burimeve njerëzore, nuk e di ku e kanë parë optimizmin në këtë raport, pasi Shqipëria është vendi i fundit në Europë për numër mjekësh për banorë.

Nëse Gjermania ka 6-7 mjekë për 1000 banorë, Shqipëria ka 1.2. Tani pretendojnë se është rritur, por mendoj se shifra nuk është e saktë, pasi nuk janë bërë çregjistrimet e mjekëve që janë larguar më parë. /Monitor


Shtuar 22.01.2022 08:06