Shqipëria nën pushtetin e plumbave/ Katër atentate në 48 orë, bilanc tragjik: Tre të vrarë e 5 të plagosur

Vendi ynë është tronditur nga katër atentate mafioze të ndodhura gjatë 48 orëve.

Bilanci është tragjik. Tre viktima dhe pesë të plagosur rëndë.

Fatjon Dervishi u ekzekutua me breshëri plumbash brenda automjetit në Sukth ditën e sotme.

38-vjeçari u dërgua në spital, por nuk i mbijetoi plagëve të marra.

Ai ndodhej me shokun e tij në makinë në momentin e atentatit, por ky i fundit nuk u prek nga plumbat.

Rreth orës 19:15 në Dukagjin mbeti i vrarë Zef Guri dhe djali i tij Gjin Guri u plagos rëndë, si pasojë e një atentati mafioz.

Autori/autorët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe policia nuk ka ende asnjë gjurmë.

Tre orë më vonë, sërish në Shkodër një person mbeti i plagosur si pasojë e të shtënave me armë.

Ngjarja ndodhi pas një konflikti mes  3 personave në fshatin Grizhë.

Në polici është shoqëruar një person ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Ndërsa ditën e djeshme, në qytetin e Rrëshenit u ekzekutua  Martin Bardhi (Marku) i cili sapo kishte dalë nga burgu.

Ai u vra në lokalin e tij që ndodhet në hyrje të spitalit të Rrëshenit, 50 metra përballë komisariatit të qytetit.

Ai ndodhej në ambientet e jashtme të lokalit bashkë me tre të afërm të tij, Oltion Gjini, ish-drejtor në bashkinë e Mirditës, Ilir Bardhoku,pronar i një lokali aty dhe Indrit Bardhi të cilët mbeten të plagosur nga breshëria e kallashnikovit.

Të tre ndodhen në spitalin e Traumës dhe iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale./Albeu.com/


Shtuar 28.09.2023 07:48