Shqipëria, me peshën më të madhe në Europë të ndërtimit në ekonomi, rritje në vitin pandemik

Si në asnjë vend tjetër të Europës, në Shqipëri vetëm ndërtohet pa fund. Ndërtimi, vit pas vit, po shndërrohet në një sektor me peshë në ekonominë vendase.

Një pjesë e konsiderueshme e fondeve të lira në ekonomi po orientohen në këtë sektor kryesisht në banesa rezidenciale në Tiranë dhe hotele në bregdet.

Këto zhvillime e kanë bërë Shqipërinë me peshën më të lartë të ndërtimit në ekonomi në raport me gjithë Europën, sipas të dhënave që Eurostat ka publikuar për peshën sipas sektorëve në vlerën e shtuar bruto. Sipas Eurostat, ndërtimi zuri në vitin 2020 rreth 10.4% të ekonomisë, gati dy herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 5.6%.

Rendja pas ndërtimit duket se është një dukuri tipike shqiptare. Pas Shqipërisë, Kosova ishte e dyta më peshën më të lartë të ndërtimit në ekonomi me rreth 9.3% të totalit. Në vend të tretë është Islanda (7.8%), e ndjekur nga Finlanda (7.5%) dhe Lituania (7.3%). Nga vendet e tjera të rajonit, nivel të lartë ka dhe Mali i Zi, me 7.3% të totalit të ekonomisë. Në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, kjo peshë është 6.5%.

Në vendet fqinjë si Greqia dhe Italia, që e kanë të mbështetur ekonominë në turizëm, ndërtimi zë peshën shumë të ulët, përkatësisht 1.9% (më e ulëta në Europë) dhe 4.4% ( e treta më e ulëta në Europë).

Të dhënat e Eurostat tregojnë se edhe në vitin 2020, kur ekonomia u zhyt në krizë nga pandemia, ndërtimi në Shqipëri vijoi me ritme të larta. Pesha e këtij sektori në vlerën e shtuar bruto u rrit me 0.6 pikë përqindje, zgjerimi më i lartë në Europë, së bashku me Rumaninë.

Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë vrulli i ndërtimeve në vend, sidomos në kryeqytet, pritet që të vazhdojë të paktën dhe në një të ardhme afatmesme, si rrjedhojë e lejeve të shumta të ndërtimit që po vijojnë të jepen.

Sipas të dhënave të INSTAT, për 9-mujorin 2021, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhëna në Tiranë ishte 1.25 milionë m2, me një rritje prej 65% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë.

Sipërfaqja e lejeve të dhëna në janar-shtator 2021 po i i afrohet rekordit më të lartë të më shumë se një dekade, që u arrit në 2019-n, duke qenë vetëm 4.5% më e ulët.

Në tremujorin e tretë 2021, sipërfaqja e lejeve të dhëna në kryeqytet ishte 435 mijë metra katrorë, rekordi i këtij viti dhe më e larta që nga tremujori i tretë 2019.

Sipas INSTAT, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në Tiranë për 9-mujorin është 43.6 miliardë lekë, ose 355 milionë euro.

Ekspertët kanë pohuar shpesh se vrulli i ndërtimeve nuk justifikohet me të ardhurat reale të ekonomisë dhe po financohet në një pjesë nga burimet informal. Për më tepër që rendja drejt ndërtimit në afatin e mesëm e të gjatë nuk i sjell asnjë vlerë të shtuar ekonomisë./Monitor


Shtuar 21.01.2022 08:05