Shqipëria e Madhe, Tirana dhe Beogradi “përplasen” në OKB

Gjatë mbledhjes së djeshme të OKB-së ka patur një debat midis ambasadorit të Shqipërisë, Ferit Hoxha dhe ministrit të jashtëm serb, Nikolla Selakoviç, i cili përmendi “Shqipërinë e Madhe”, duke thënë se qëllimi i Kosovës është krijimi i saj dhe jo formimi i shtetit.

Duke i replikuar akuzave të tij Hoxha tha se agjenda e vetme e Shqipërisë është hyrja në Bashkimin Europian dhe krijimi i një Ballkani të Hapur.

“Synojmë të ndërtojmë një Ballkan të Hapur dhe jo “një Ballkan të thyer”. Ne veçse se kemi pasë një Ballkan të thyer. Qëllimi është të kemi një Ballkan të bashkuar. Mësimet nga tragjeditë e viteve të 1990-ta tregojnë për rrezikun nga gjykimet e gabuara, si dhe njerëzit e idetë ekstremiste nuk duhet të diktojnë të ardhmen. Të rinjtë e rajonit të Ballkanit kanë të njëjtin synim: një jetë më të mirë, liri, mundësi dhe anëtarësim në Bashkimin Europian. Asgjë e mirë nuk vjen nga dëmtimi i fqinjit tuaj”, tha Hoxha.

Selakoviç, duke iu drejtuar delegacionit të Shqipërisë, tha se Serbia dëshiron të shohë një “Ballkan të hapur” dhe se ai nuk po fliste për qëllimet e Shqipërisë, por përkundrazi, ai po fliste për “dëshirën e Albin Kurtit për një “Shqipëri të Madhe”, të cilën ai e ka shprehur shpesh.

Hoxha tha se Kosova nuk është çështje e paqes apo sigurisë, por e shtetndërtimit ku shtoi se mandati i UNMIK-ut duhet të përfundojë për të shërbyer në një vend ku prezenca e OKB-së do të ishte më efektive.

“Me kënaqësi do të sfidoja secilin, në këtë Këshill dhe jashtë tij, që të argumentoj dhe ta dëshmoj se Ballkani sot nuk është në situatë shumë më të mirë me Kosovën si vend të pavarur. Pavarësia e Kosovës është zgjidhur 14 vjet më parë dhe nuk është temë për diskutim. Kosovarët kanë bërë zgjedhjen e tyre”, ka thënë Hoxha./albeu.com