Rruga “Tiranë-Elbasan” çon Gjiknurin në SPAK, numri dy i PS-së: Shpjegimet i dhashë në prokurori

Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ditën e sotme është paraqitur në SPAK.

Gjiknuri ishte thirrur në SPAK për të dëshmuar në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e abuzimeve të ndodhura gjatë zbatimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.

Jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, Gjiknuri është shprehur për mediet se dëshminë e ka dhënë në Prokurori dhe nuk ka gjë për të shtuar.

“Një nga abuzimet më të mëdha rruga Tiranë-Elbasan që përfundoi me një kosto 400 mln euro. Shpjegimet e mia i dhashë në prokurori, kështu që nuk kam gjë për të shtuar”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri, në kohën kur ishte Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë kallëzoi në prokurori abuzimet e konstatuara nga raporti i auditit të kryer për zbatimin e këtij projekti dhe përgjegjësitë e ish-drejtuesve të ARRSH.

Ish-ministri urdhëroi auditin dhe dorëzoi kallëzimin në Dhjetor të vitit 2017./Albeu.com/


Shtuar 10.02.2023 10:07