Shpërthimi i bombolës në Velipojë, policia vë në pranga tregtarin e shitjes së gazit

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një shitës gazi, i cili akuzohet se tregtonte pa licencë gaz të lëngshëm dhe naftë, jashtë kushteve tekniko-ligjore.

Arrestimi i tij vjen pas ngjarjes së rëndë në fshatin Pulaj Plazh, Velipojë, Shkodër, në një hotel trekatësh, ku si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi mbetën të dëmtuar një nënë dhe tre fëmijët e saj, pasi u konstatua se gazi që përdorej në këtë hotel tregtohej në kundërshtim me ligjin nga shtetasi P. M., të cilit një ditë pas ngjarjes iu bllokua aktiviteti nga ISHTI.

Njoftimi i policisë

Nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

P. M., 46 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët djegëse” dhe “Tregtimi dhe hedhja për konsum e lëndëve djegëse, në kundërshtim me ligjin”.

Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 04.07.2021, në fshatin Pulaj Plazh, Velipojë, Shkodër, në një hotel trekatësh, ku si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi mbetën të dëmtuar shtetasit A. Gj. 40 vjeçe, D. Gj. 19 vjeçe, K. Gj. 15 vjeçe dhe E. Gj. 12 vjeç, u konstatua se gazi që përdorej në këtë hotel tregtohej në kundërshtim me ligjin nga shtetasi P. M., të cilit një ditë pas ngjarjes iu bllokua aktiviteti nga ISHTI.

Shtetasi P. M. e ka shkelur masën e bllokimit të aktivitetit duke vazhduar tregtimin pa licencë të gazit të lëngshëm dhe të naftës, jashtë kushteve tekniko-ligjore.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 7.07.2021 20:56