Më 20 nëntor do të bëhen një vit nga vdekja e legjendës argjentinase të futbollit, njërit nga futbollistët më të mirë që ka prodhuar mbarë globi, Diego Armando Maradona. Nderimet dhe përkujtimoret për të sa vijnë e intensifikohen në Argjentinë, por dhe vende të tjera, ku “Dora e Zotit” ka luajtur në rang klubesh.
Natyrisht, edhe mediat kanë nisur “gjahun” për të zbuluar sa më shumë rreth jetës kontraverse të kampionit të Botës në “Meksikë 1982”. Një personazh i tillë, edhe pse i ndarë nga jeta, vijon të prodhojë polemika të forta.
Këtë herë mendoi për “t’i hedhur benzinë zjarrit” Mavys Alvarez, ish e dashura kubane e “Pibe de Oro”, të cilën e njohu gjatë viteve që jetonte në Havana, ku shkoi për të trajtuar varësinë nga droga. Vajza, asokohe adoleshente dhe tani grua 41-vjeçare, foli për herë të parë në televizion:
“Unë isha thjesht një vajzë e pafajshme, nuk kisha keqdashje. Ai ishte një i huaj, një njeri i pasur dhe me famë. Më kishte vënë re, nuk mund t’i thoja jo. M’u duk privilegj asokohe të isha e dashura e tij”.
Me tej, gruaja kubaneze zbuloi prapaskena, që nuk e nderojnë shumë ish-yllin e futbollit botëror:
“Diego më mësoi të pija kokainë kur isha 16 vjeçe. Në fillim më tha që, nëse e prekja atë që përdorte vetë, do të më vriste, por pas një kohe nuk i pëlqente ta pinte më i vetëm. Pastaj këmbënguli shumë, derisa nisa ta konsumoj dhe unë të bardhën”.
Kjo interviste e Mavys Avlvarez nuk u përjetua aspak mirë në familjen e Maradonës në Argjentinë. Gianinna, vajza më e vogël e ‘Pibe de Oro’, shpërtheu në Instagram: “Bij k***sh, nuk po jua uroj vdekjen, thjesht sepse nga atje lart do t’ju bluajë me dhëmbët e tij. Unë ju urrej të gjithëve, bij k***ash”.