Paraditen e sotme Gjykata e Tiranës mori vendimin për të njohur statutin e Sali Berishës të ngritur në kuvendin e “11 Dhjetorit” në stadiumin Air Albania.
Agron Zhukri është gjyqtari i gjykatës së Tiranës që mori vendimin.
Zhukri mbrëmë u kërcënua me burg nga Gazment Bardhi dhe sot nga Enkelejd Alibeaj me padi, të dy të shkarkuar me vendimin e sotëm që firmosi ky gjyqtar. Por cili është ai dhe si është ngjitur në karrierë?
Gjyqtari Agron Zhukri 56 vjeç, ka një karrierë të gjatë prej më shumë se dy dekadash në sistemin e drejtësisë. Në periudhën dhjetor 1992 deri në qershor 1994 ka punuar pranë Ambasadës Shqiptare në Romë. Zhukri thotë se ka qenë punonjës, por pa e specifikuar punën që bënte, disa thonë se ka qenë shoferë.
Zhukri është shfaqur si ndihmës gjyqtar në procesin e famshëm të gjykimit të të akuzuarave për grushtin e shtetit të 14 Shtatorit 1998. Prej disa vitesh ai është pjesë e trupës në gjykatën e Tiranës.
Ai ende nuk kanë kaluar procesin e Vetingut. Procesi i verifikimit për Zhukrin ka nisur në qershor të vitit 2020, ku aktualisht nuk ka një datë të caktuar për t’u paraqitur në Komisionin e Vetingut për t’u njohur me dosjen hetimore.
Më shumë se sa për vendime, Zhukri dhe gruaja e tij Rezarta janë lakuar kohët e fundit për pasurinë. Megjithatë do të jenë konkluzionet e Komisionit të Vetingut që do të përcaktojnë nëse kjo pasuri e deklaruar është e ligjshme apo gjyqtari Agron Zhukri e ka krijuar duke përdorur funksionin.