Shkarkimi i Veliajt, Këshilli i Ministrave i dërgon argumentet: Ankimimi në Gjykatën Kushtetuese, është bërë në organin e gabuar, s’është kompetente

Qeveria i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese relacionin dhe dokumentet që lidhen me shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës, duke argumentuar se ky vendim është një akt administrativ dhe se ankimimi është bërë në organin e gabuar.

Në relacionin zyrtar të Këshillit të Ministrave theksohet se “Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente për shqyrtimin e një vendimi të Këshillit të Ministrave”, pasi ky i fundit nuk është organ kushtetues, por ekzekutiv.

Po ashtu, sqarohet se Veliaj ka pasur mundësi ta kundërshtojë vendimin për shkarkim në Gjykatën Administrative, sipas parashikimeve të ligjit.

Ndër të tjera, qeveria thekson se vendimi për shkarkimin e Veliajt është marrë mbi bazën e mungesës së tij fizike në detyrë për më shumë se 3 muaj, për shkak të masës së arrestit me burg, duke e konsideruar këtë një shkak të ligjshëm për përfundimin e mandatit.

Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë në fund të muajit tetor nëse do të pranojë ose jo kërkesën e Veliajt për pezullimin e vendimit dhe të zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë.

PËRMBLEDHJE SHPJEGUESE E PËRMBAJTJES SË PROJEKTAKTIT
Projektvendimi parashikon shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, mbështetur në propozimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, të miratuar me vendimin nr.69, datë 23.9.2025.
Këshilli bashkiak ka marrë vendimin nr.69, datë 23.9.2025 në rrethanat kur Kryetari i Bashkisë Tiranë ndodhet në pamundësinë fizike për t’u paraqitur në detyrë prej datës 10 shkurt 2025, për shkak të vendosjes ndaj tij të masës shtrënguese të sigurimit personal.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura procedurale, gjykata ka lënë në fuqi masën arrest me burg për kryetarin e Bashkisë Tiranë dhe nuk ka pranuar heqjen e masës, apo zëvendësimin me një masë tjetër shtrënguese që do të mundësonte paraqitjen në detyrë. Këshilli Bashkiak Tiranë ka konstatuar se mosparaqitja në detyrë, në rrethanat e sipërcituara dhe për një periudhë më të gjatë se tre muaj, përbën shkak ligjor për të propozuar shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë, mbështetur në shkronjën “c”, të nenit 62, të ligjit nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar.
Fakti juridik i pamundësisë së paraqitjes në detyrë është fakt publik dhe vërtetësia e tij nuk mund të vihet në dyshim. Po kështu nuk mund të vihet në dyshim shqetësimi këshilltarëve bashkiakë për dëmin e rëndë që i shkakton nevojave te qeverisjes së kryeqytetit dhe interesit të qytetarëve të Tiranës, mungesa e zgjatur në detyrë Kryetarit të Bashkisë. Këshilli Bashkiak ka propozuar shkarkimin, si rruga e vetme ligjërisht e mundëshme në dorën e tij me qëllim fillimin e procedurave të mëtejshme, për të rikthyer normalitetin qeverisës në Bashkinë Tiranë. Ky vullnet politik dhe ligjor i përfaqësuesve të zgjedhur të Kryeqytetit nuk mund të neglizhohet dhe Këshilli i Ministrave nuk ka asnjë alternativë tjetër, veçse të finalizojë procedurën ligjore të shkarkimit.
Ligji nr.139/2015 ka parashikuar që procedura e shkarkimit, për shkakun e përcaktuar në shkronjën “c” të nenit 62 të finalizohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndryshe shumica e rasteve të tjera të krijimit të vakancave, të cilat kërkojnë vetëm konstatimin e faktit juridik, pas informacionit të marrë nga prefekti i qarkut përkatës.
Neni 62 kërkon vendim të Këshillit të Ministrave për tre shkaqe ligjore shkarkimi. Shkaku i parë buron nga Kushtetuta dhe i takon kompetencës së Këshillit të Ministrave që, me vullnet politik, të vendosë shkarkimin e organit të zgjedhur vendor, kur konstaton shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve nga ana e këtij të fundit. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton në nenin 115 të saj se “organi zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”. Pika 2 e këtij neni përcakton, se “organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet”.
Kjo dispozitë e Kushtetutës nuk ka qëllim që të përcaktojë kompetencën në rastin e shkarkimit të kryetarit të bashkisë, por ka qëllim që të mbrojë pavarësinë e organeve të qeverisjes vendore nga ndërhyrjet e pushteteve të tjera, duke i dhënë kryetarit të bashkisë mbrojtje të posaçme, në rastet kur ndaj tij vepron mekanizimi i shkarkimit politik. Jo rastësisht, Kushtetuta e cila nuk lejon vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese për akte me karakter individual, në rastin e shkarkimit të kryetarit të bashkisë, që është gjithashtu akt me karakter individual, ka përcaktuar shprehimisht jo vetëm të drejtën për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, por ka përcaktuar edhe pezullimin automatik të aktit, në rastin kur bëhet ankimi.
Rasti kushtetues i mësipërm është përfshirë me të njëjtin formulim edhet në shkronjën “a”, të nenit 62, të ligjit nr.139/2015, duke u përfshirë më vete në listën e shkaqeve ligjore që sjellin shkarkimin. Shkaqet e tjera të shkarkimit nga Këshilli i Ministrave vijnë për motive juridike, të cilat janë jashtë vullnetit të Këshillit të Ministrave. Në rastin e shkronjës “b” faktet juridike konfirmohen në mënyrë të pakundërshtueshme nga pushteti gjyqësor (dënim nga gjykata me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale). Në rastin e shkronjës “c” fakti juridik konfirmohet nga këshilli bashkiak në rrugë administrative dhe me vendimmarrje (mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë).
Diferenca me shkronjën “a” të nenit 62, qëndron në faktin, se kur ndodh shkarkimi për shkelje të rënda të Kushtetutës apo të ligjeve të tjera, mbrojtja bëhet me instrumenta kushtetuese (Gjykata Kushtetuese), kurse për rastet e tjera, palët e prekura mund të shfrytëzojnë vetëm instrumentat administrative të mbrojtjes dhe t’i ngrejnë pretendimet në gjykatën kompetente administrative dhe jo sipas procedurës së posaçme që përcakton neni 115 i Kushtetutës. Po kështu, nuk zbatohet procedura e posaçme e nenit 115, të Kushtetutës edhe në rastet e tjera të mbarimit para kohe të mandatit, që përcaktohen të listuara në nenin 61, të ligjit nr.139/2025.
Kjo analizë e shkaqeve dhe mjeteve juridike ka rëndësi në kuadër të këtij projektvendimi, sepse lidhet drejtpërdrejt me qëllimin e Këshillit Bashkiak Tiranë për hapjen e rrugës për zhvillimin sa më shpejt të zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në këtë bashki.


Shtuar 16.10.2025 16:44

Tags: ,