Shkarkimi i Metës, Balla: Ka shkelur sistematikisht Kushtetutën, kemi prova

Numri dy i  Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur se mazhoranca është e vendosur të shkarkojë Presidentin e Republikës, pasi sipas tij ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme.

“Besoj që jeni vënë në dijeni që prej ditës së premte është institucionalizuar kërkesa e rreth 50 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, depozituan kërkesën për fillimin e procedurës së shkarkimit Presidenti i Republikës përpara dhe gjatë fushatës ka kryer veprime që shkelin Kushtetuetën e Shqipërisë.  Kemi pasur edhe një Rezolutë të mëparshme që i kërkonim Presidentit të rikthehej në binarët e Kushtetutës. Presidenti nuk e ka respektuar këtë rezolutë të vitit 2019 dhe ka vijuar me shkeljen e Kushtetutës. Ndaj Kuvendi do të shprehet me vendim për këtë. Unë besoj se Kuvendi aktual e ka sovranitetin për ta shqyrtuar këtë proces”, tha Balla.

Si një prej firmëtarëve të dokumentit për nisjen e procesurës së shkarkimit, Balla tha se në këtë dokument janë paraqitur të gjitha provat e nevojshme dhe të domosdoshme për ta iniciuar këtë proces.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se nisma e parë për shkarkimin e Presidentit Meta nuk u konkludua në respekt të opinionit të Komisionit të Venecias.

“Në ruajmë respekt maksimal sepse ka një vlerë të pakundërshtueshme për ne si institucion”, tha ndër të tjera Balla.

Shtuar 3.05.2021 11:05