Dy vëllezër janë arrestuar sot nga policia e Tiranës, pasi janë kapur duke shpërndarë doza kokaine në një tabakino në pronësi të tyre, në zonën e Mëzezit.
Arrestimi i vëllezërve nga Tirana të identifikuar me iniciale D. M., 25 vjeç dhe B. M., 29 vjeç., është bërë në kuadër të operacionit “Tabachino”.
Policia sqaron se janë kryer kontrolle edhe në banesën e tyre ku janë sekuestruar 40 doza kokainë, gati për shitje dhe një dorezë metalike.
NJOFTIMI I POLICISË:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Tabacchino”, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6. Shpërndanin doza të lëndës narkotike kokainë, në një tabakino, vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër).
Sekuestrohen doza kokaine, një peshore elektronike dhe një përforcues grushti (dorezë metalike). Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune hetimore disajavore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin “Tabacchino”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: D. M., 25 vjeç dhe B. M., 29 vjeç (vëllezër), të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit në subjektin “Tabacchino” që administronin dy vëllezërit, në rrugën “Kasem Shima”, dhe gjatë kontrollit të banesës së tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 40 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, gati për shitje, peshore elektronike dhe një përforcues grushti (dorezë metalike).
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike kokainë, e ndanin atë në doza, të cilat i shisnin në subjektin që administronin dhe në zonën e Mëzezit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.