Shisnin doza kanabisi në afërsi të një shkolle, arrestohen 4 të rinj! Dy të proceduar në Tiranë

Katër persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht në Tiranë në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë, “Tempulli 2”.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se shërbimet policore, pasi kanë siguruar informacione se disa shtetas shisnin lëndë narkotike kanabis, në doza, në afërsi të një shkolle në rrugën “Ismail Qemali”, dhe në zonën  “Don Bosko”, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara:

▪️Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në afërsi të një shkolle në rrugën “Ismail Qemali”, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 21 vjeç, dhe S. Sh., 23 vjeç. Gjithashtu proceduan penalisht shtetasit H. P., 21 vjeç, dhe R. D., 20 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndanin në doza, të cilat i shisnin në afërsi të një shkolle, në rrugën “Ismail Qemali”.

▪️Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në “Don Bosko”, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit O. Sh., 30 vjeç, dhe M. H., 27 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, e siguronin lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndanin në doza, të cilat i shisnin në zonën “Don Bosko”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan doza me lënde narkotike kanabis, gati për shitje, shuma parash të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm, dhe dy grirëse për lëndën narkotike.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 25.02.2024 11:55