Shifra alarmante! Gara me makina mes Tiranës, arrestohen 28 shoferë në 24 orët e fundit (VIDEO)

Dy të rinj në Tiranë janë kapur mbrëmjen e kaluar duke garuar me makina në Unazën e Madhe të Tiranës.

Policia bën me dije se të rinjtë me iniciale E.M. dhe M.Sh. të cilët po udhëtonin me makina, respektivisht të tipeve Nissan dhe Audi dhe janë gjobitur me 20 mijë lekë të reja.

Ndërkohë Policia Rrugore njofton se në 24 orët e fundit në të gjithë vendin tonë janë arrestuar 28 shoferë për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Si rezultat i kontrolleve të kombinuara nga Policia Rrugore, Patrullat e Përgjithshme dhe “Shqiponjat”, përgjatë fundjavës janë arrestuar në flagrancë 28 drejtues mjetesh, nga të cilët 17 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 11 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 198 leje drejtimi, nga këto 127 për shpejtësi tej normave të lejuara, 69 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 2 për qarkullim në sens të kundërt. Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 4987 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.

Policia Rrugore e Tiranës, nisur nga publikimi në rrjete sociale, i një videoje ku shfaqeshin dy automjete tip “Nissan” dhe “Audi” që po bënin gara shpejtësie në Unazë të Madhe, në kushte të errësirës dhe të fluksit shumë të lartë të automjeteve, duke u bërë rrezik potencial për jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, ka bërë të mundur identifikimin e drejtuesve të automjeteve, konkretisht drejtuesin e automjetit tip “Nissan”, shtetasin E. M. dhe drejtuesin e automjetit tip “Audi”, shtetasin M. Sh., të cilët i ka ndëshkuar administrativisht me nga 20.000 lekë të rinj secilin.

Gjithashtu, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, gjatë kontrolleve parandaluese për përdorimin e alkoolit, në rrugën “Sadik Petrela”, kanë konstatuar një shtetas që po drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, shtetasi me iniciale A. H., 22 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë, një kartëmonedhë me prerje 5000 lekë të rinj, me qëllim shmangien e testimit për alkool. 22-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. /albeu.com/


Shtuar 30.08.2021 17:31