Publikohet fotoja e automjetit të Kejdi Spajas, 31-vjeçarit, i cili dyshohet se ka qenë objektiv i një atentati të ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Shkozë, ku u plagos efektivi Anxhelo Kumaraku.
Në pamje duken shenjat e plumbave të qëlluara në drejtim të automjetit të 31-vjeçarit, i cili sipas dyshohet se ka qenë shënjestër e sulmit.
Të lidhura
None found
Dinamika
Policia dyshon se dy vëllezërit, Aldo dhe Ali Lika, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia kanë tentuar të vrisnin shtetasin Kejdi Spaja, i cili ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi”.
Ata qëlluan nga një makinë drejt 31-vjeçarit Spaja, i cili ndodhej pranë banesës së tij me efektivin Kumaraku dhe një person të tjetër me iniciale L.D.
Policia arrestoi 31-vjeçarin Spaja, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Ndërkohë po punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë, Anxhelo Kumaraku. Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor.
Njoftimi:
Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur në mesnatë, në Shkozë. Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas (vëllezër), të cilët dyshohet se tentuan të vrisnin me armë zjarri një 31-vjeçar, pranë banesës së tij.
Arrestohet 31-vjeçari, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Nga të shtënat u plagos aksidentalisht në këmbë një 30-vjeçar (punonjës policie, jashtë shërbimit), i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë. Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për ngjarjen e ndodhur në mesnatë, në Shkozë, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorët e dyshuar, shtetasit A. L., 33 vjeç dhe A. L., 22 vjeç, (vëllezër).
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas kanë qëlluar me armë zjarri, nga automjeti i tyre, në drejtim të shtetasit K. S., i cili ndodhej pranë banesës së tij, bashkë me shtetasit A. K. dhe L. D.
Nga të shtënat është dëmtuar aksidentalisht në këmbë shtetasi A. K., 30 vjeç (punonjës policie, jashtë shërbimit). Ai po merr mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua shtetasi K. S., 31 vjeç, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Po punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, ndaj punonjësit të Policisë A. K., Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga ligji nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, pasi ky punonjës policie është konstatuar duke u shoqëruar me një person që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar me vendim gjykate për armëmbajtje pa leje, si dhe nuk ka njoftuar shërbimet policore dhe eprorët për rastin në fjalë.

