Shembet ndërtesa në Marsejë, zjarri pengon operacionet e shpëtimit

Ministri i Brendshëm i Francës tha se deri në dhjetë individë mund të jenë zënë poshtë rrënojave të një ndërtese që u shemb pas një shpërthimi në qytetin e Marsejës.

Rreth 15 orë pas shpërthimit, më shumë se 100 zjarrfikës janë përfshirë në operacionet e shpëtimit në luftë më kohën, por një zjarr brenda rrënojave po pengon ndërhyrjen, siç njofuan organet franceze të rendit.

Sipas të dhënave të fundit, 8 persona që mendohet se ishin në ndërtesë nuk janë gjetur ende.

Flakët e vazhdueshme dhe frika për shembje të mëtejshme i penguan ekipet e shpëtimit që të kërkonin për viktima rreth 15 orë pas shpërthimit. .

“Ne nuk mund të ndërhyjmë sipas procedurës së zakonshme,” tha zoti Darmanin duke folur pranë vendit ku ndodhi ngjarja, rreth 11 orë pasi ndërtesa pesëkatëshe u shemb pak para orës 1 të mëngjesit.

Ai tha se zjarri ka shpërthyer shumë pranë rrënojave dhe se si uji ashtu edhe shkuma që përdoren për shuarjen e zjarrit paraqesin rrezik për mbijetesën e viktimave.

“Deri tani, nuk ka të dhëna për humbje jete nga shpërthimi dhe shembja e ndërtesës, apo se çfarë e shkaktoi shpërthimin”, tha ai.

Zjarrfikësit, me ndihmën e ekspertëve, punuan gjatë natës dhe gjithë ditën e diel në një operacion delikat që synonte të mos rrezikonte zjarrfikësit, të parandalonte dëmtimin e mëtejshëm të njerëzve të bllokuar në rrënoja dhe të mos rrezikonte ndërtesat aty pranë.

Ministri Darmanin tha se rreth 30 ndërtesa në zonë u evakuuan.

“Dëgjuam një shpërthim … një shpërthim shumë të fortë dhe kaq”, tha Marie Ciret, e cila ishte në mesin e të evakuuarve. “Pamë jashtë dritares se çfarë po ndodhte. Pamë tym, tulla dhe njerëz që vraponin.”

Ndërtesa që u shemb ndodhet në një rrugë të ngushtë në qendër të Marsejës, çka shton vështirësitë për për zjarrfikësit dhe punonjësit e shpëtimit.

Temperaturat e larta për shkak të zjarrit e bënë të pamundur dërgimin e ekipeve të qenve të kërkimit. Pati njoftime për përdorim të mjeteve robotike.

Kryebashkiaku i Marsejës, Benoit Payan, tha se dy ndërtesa që kishin mure të përbashkëta me pallatin që u shemb, u rrëzuan pjesërisht përpara se njëra ndërtesë të rrëzohej më vonë. Gjashtë persona u shtruan në spital.

“Duhet të përgatitemi për humbje të jetëve njerëzore”, tha ai.

Ndërtesa e shembur ndodhet në një lagje të vjetër në qendër të qytetit të dytë më të madh të Francës. Zhurma nga shpërthimi u dëgjua edhe në lagje të tjera. Rrugët pranë vendngjarjes janë bllokuar.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrja Elisabeth Borne përmës postimeve në Twitter ndanë lutjet e tyre për njerëzit e prekur dhe falenderimet për zjarrfikësit.


Shtuar 10.04.2023 08:02