SHBA dhe Rusia vihen përballë për raportin mbi krizën humanitare në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë përballur sot për një raport mbi krizën humanitare në Ukrainë, me Moskën që e quajti atë “të motivuar politikisht”.

Raporti i Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, iu prezantua bordit ekzekutiv të organizatës, në të cilin ulen Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.

Ai mbuloi ngjarjet në nëntë muajt e parë të vitit 2022 dhe e klasifikoi situatën në Ukrainë,  të cilën Rusia e pushtoi më 24 shkurt, si një nga tetë urgjencat akute shëndetësore globale.

Raporti dokumentoi më shumë se 14,000 viktima civile, me 17.7 milionë njerëz në nevojë për ndihmë humanitare dhe 7.5 milionë refugjatë ukrainas të zhvendosur në të gjithë Evropën.

Nga 471 sulme me armë të rënda në objektet e kujdesit shëndetësor globalisht, 448 ndodhën në Ukrainë, thuhet në raportin e OBSH-së.

Përfaqësuesi i Rusisë në bordin e OBSH-së e quajti atë të politizuar dhe të njëanshëm dhe i përshkroi referimet e saj ndaj Ukrainës si akuza të pabaza.

Moska ka mohuar të ketë shënjestruar civilët në Ukrainë që kur filloi atë që e quan një “operacion special ushtarak”, i cili ka shkatërruar qytetet e Ukrainës, ka vrarë mijëra luftëtarë dhe ka tronditur ekonominë globale.

Sheba Crocker, përfaqësuesja e SHBA në Kombet e Bashkuara, bëri thirrje për një raport të përditësuar për të dokumentuar incidentet në Ukrainë që nga shtatori./albeu.com