Sesioni i fundit para “shpërndarjes”/ Sot rinis Kuvendi, ja se çfarë pritet të diskutohet

Këtë të hënë, pas ndërprerjes për festat e fundvitit, do të rinisë Kuvendi me seancën plenare që është planifikuar të nisë në orën 17:00.

Ky do të jetë sesioni i fundit për këtë legjislaturë të dhjetë, e cila do të vijojë punimet deri në mars, për t’ia lënë më pas vendin përgatitjeve për zgjedhjet e 11 majit, ku qytetarët do të zgjedhin parlamentin e ri.

Mazhoranca dhe opozita, do të përpiqet të gjejnë gjuhën e përbashkët për disa nisma. Një prej nismave kryesore, është ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të lehtësuar votën e diasporës, të cilat janë ndryshime teknike.

Më konkretisht, bëhet fjalë për afrimin e datës së regjistrimeve dhe shpalljes së emrave të kandidatëve për deputetë në mënyrë që fleta e votimit të prodhohet më shpejt dhe të shpërndahet te emigrantët që do të votojnë me postë.

Ndryshimi tjetër është ai që kërkon të specifikojë në ligjin zgjedhor, se për këto zgjedhje, emigrantët nuk do të kenë asnjë kosto, pasi njëjtë si dërgimi i fletës së votimit, edhe marrja e saj do të bëhet me buxhetin e shtetit.

Ndërkohë, palët kanë përplasje sa i përket numërimit të votave të diasporës, ku Partia Socialiste, ia lë në dorë administratës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ndërsa opozita kërkon të procedohet normalisht njësoj si me votat brenda vendit, pasi nuk ka besim tek institucioni i drejtuar nga Ilirjan Celibashi.

Gjithashtu, Partia Demokratike, propozon që emigrantët të votojnë edhe me dokumente të huaja, por kjo kërkesë duket e vështirë për të gjetur dakordësinë mes palëve.

Në seancat e para të këtij sesioni, pritet të votohet edhe për dërgimin ose jo në Gjykatë Kushtetuese të mandatit të deputetit socialist vullnet Sinaj, çështje për të cilën u ra dakord disa ditë më parë në Këshillin e Mandateve. Ai akuzohet nga opozita për konflikt interesi duke përfituar fonde publike

Në Kuvend, gjithsesi debate pritet të ketë edhe për nismat e fundit ligjore të depozituara nga të dyja palët përgjatë javëve të fundit e që do t’i nënshtrohen diskutimit parlamentar, siç është paketa e maleve e qeverisë, apo dy projektligjet e depozituara nga demokratja Jorida Tabaku për “Për marrëveshjet e kredisë konsumatore” apo ai për “Mbrojtjen e Konsumatorëve”.

Mbledhja e Kuvendit në seancë plenare në datën 20.1.2025, ora 17:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si me poshtë:

1. Hapja e punimeve të sesionit VIII të Legjislaturës X.

2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 19.12.2024.

3. Njoftime.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë


Shtuar 20.01.2025 09:26

Tags: , ,