Serbia nuk ndalet para COVID-19, paguan me 30 dollarë qytetarët që të vaksinohen

Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë ka thënë ditën e sotme se Serbia do të shpërblejë me 30 dollarë të gjithë personat mbi 16-vjeç të cilët janë vaksinuar ose do të vaksinohen kundër Covid-19 brenda datës 31 maj.

Spas mediave, kjo skemë do të shërbejë si mënyrë për të rritur më tej imunizimin e popullatës. Ndërsa të vaksinuarit do të jenë të privilegjuarit, qytetarët që i kundërshtojnë ato do të vuajnë pasojat, edhe nëse janë nëpunës në shtet.

“Jam konsultuar edhe me kryeministren. Kemi menduar t’i shpërblejmë ata që tregohen të përgjegjshëm, që të arrijmë imunitetin kolektiv.

Nëse dikush është infektuar për faj të dikujt tjetër, ka marrë dy dozat e vaksinës, dhe është pjesë e një institucioni shtetëror, ushtrisë apo diku tjetër, do të marrë kompensim për lejen për shkak të sëmundjes.

Të tjerët, jo. Nuk duam të diskriminojmë, por mendoj se mosvaksinimi është papërgjegjshmëri, është egoizëm.”– tha ai.