Sot pritet të zhvillohet Samiti i krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Selanik , ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Qëllim i Samitit janë bisedimet rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, politik e shoqëror në rajon.
Në lidhje me këtë, në artikujt e gazetave greke për sa i përket Samitit theksohet se ai do të zhvillohet si “kryeqytetin e Ballkanit”, duke cilësuar kështu Selanikun si epiqendrën e Ballkanit.
I njohur ndryshe si Samiti Ndërballkanik, një ndër temat që do të diskutohet dhe që është në interes të Shqipërisë është perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Axhenda e Samitit
Pasditen e sotme, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të kryesojë Samitin. Në punimet e Samitit do të marrë pjesë kryetari i Këshillit Evropian Charles Michel , ndërsa në darkën që do të vijojë do të marrë pjesë edhe kancelari gjerman Olaf Soltz . Në prani të dy zyrtarëve, do të tentohet të dërgohet një mesazh i qartë në favor të perspektivës evropiane për vendet ballkanike.
17.20 – Mbledhja e krerëve të delegacioneve në sallën ku zhvillohet samiti
17.35 – Foto familjare
17.40 – Zhvillimi i seancës plenare të samitit SEECP
Fjala e hapjes nga z. Kyriakos Mitsotakis, Kryeministër i Republikës së Greqisë
Fjalë e Kryeministrit dhe krerëve të delegacioneve të tjera
Shkëmbim i pikëpamjeve për bashkëpunimin rajonal – ndikimi aktual i zhvillimeve
ndërkombëtare në rajon
Miratimi i Raportit Vjetor të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal
Miratimi i Deklaratës së Samitit të SEECP të Selanikut
20.00 – Konferencë për shtyp e z. Kyriakos Mitsotakis, Kryeministër i Republikës së Greqisë
Çfarë do të përfshijë deklarata e Samitit
Sipas informacioneve, deklarata që do të miratohet dhe shpallet pas Samitit të liderëve, fokusohet në tetë tema.
Deklarata dënon qartë ” pushtimin e paligjshëm, të pajustifikuar dhe të paprovokuar të Ukrainës nga forcat e armatosura të Rusisë”.
Do ti jepet rëndësi e veçantë perspektivës evropiane të rajonit dhe për të ardhmen e tyre të përbashkët evropiane.
Pritet të theksohet nevoja për garantimin e sigurisë energjetike në rajon dhe diversifikimin e burimeve të energjisë, nëpërmjet stacioneve të karburantit LNG dhe ndërlidhjeve të tubacioneve.
Siguria dhe ekonomia
Deklarata pritet të fokusohet në çështjet e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Ky paragraf ka të bëjë me trajtimin e ndikimit të vendeve të treta (p.sh. Rusia, Kina), të cilat sipas Perëndimit veprojnë në mënyrë dashakeqe dhe destabilizuese. Së fundi deklarata e Samitit do t’i referohet rëndësisë së zhvillimit ekonomik të rajonit.
Cilat vende do të marrin pjesë
Samiti i krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ose ndryshe Samiti Ndërballkanik u themelua me iniciativë greke në vitin 1996.
Në Samit do të marrin pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Moldavia, Rumania, Rumania, Serbia. .
Presidentët e Serbisë, Sllovenisë, Moldavisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës ndodhen sot në Selanik.
Të pranishëm do të jenë kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Kroacisë, ndërsa Turqia do të përfaqësohet nga zëvendësministri i Jashtëm për Çështjet Evropiane.