Policia ka vënë në pranga babë e bir në Dibër, Dalip Deda dhe Pajtim Deda, banues në fshatin Shullan, njësia Administrative Kala e Dodës, pasi gjatë një kontrolli në banesë është gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh, konkretisht dy armë zjarri kallashikov, një pushkë, një armë gjahu, tritol, 200 metra fitil zjarrpërcjellës, 73 copë kapsolla detonatore, 715 copë fishekë, dhe 5 krehra arme.
Njoftimi i policisë:
Dibër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Ëeapons”, i zhvilluar nga DVP Dibër dhe Komisariati i Policisë Dibër.
Sekuestrohen arsenal armësh, municion luftarak, tritol, kapsolla detonatore, e sende të tjera të kundraligjshme.
Vihen në pranga babë e bir, poseduesit e arsenalit të armëve.
Në zbatim të planit të masave për parandalimin e ngjarjeve kriminale, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kapjen e personave në kërkim apo atyre që mbajnë dhe qarkullojnë me armë zjarri, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas posedonte armë zjarri në banesë, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër kanë organizuar punën dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Ëeapons”.
Në kuadër të këtij operacioni është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit D. D., në fshatin Shullan, ku janë gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh, konkretisht :
Dy armë zjarri kallashikov, një pushkë, një armë gjahu, tritol, 200 metra fitil zjarrpërcjellës, 73 copë kapsolla detonatore, 715 copë fishekë, dhe 5 krëhëra arme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Dibër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve :
D. D., 68 vjeç; dhe P. D., 38 vjeç, (babë e bir), banues në fshatin Shullan, njësia Administrative Kala e Dodës, Dibër.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim./albeu.com