Seanca plenare e së martës, PD bojkoton, Bardhi: Mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të bojkotojë seancën plenare të parashikuar për ditën e martë në Kuvendi i Shqipërisë.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita nuk do të marrë pjesë në atë që ai e cilësoi si një seancë “të paligjshme”, e thirrur në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

Sipas Bardhit, seanca është thirrur jashtë ditës normale të zhvillimit të saj, që është e enjtja, dhe me një rend dite minimal që përfshin vetëm miratimin e procesverbalit dhe njoftime.

Ai shtoi se kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të kryeministrit Edi Rama dhe të kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali.

Sipas Bardhit, një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk funksionon si institucion demokratik, por shndërrohet në një “dekor për propagandën e qeverisë”.


Shtuar 16.03.2026 16:43