“Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Gjermaninë dhe unë jam i përkushtuar për anëtarësimin e tij në Bashkimin Evropian. Gjermania është serioze për integrimin evropian të vendeve të rajonit, dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për Maqedoninë e Veriut. BE-ja i ka premtuar Maqedonisë së Veriut, ndërsa ajo i ka përmbushur të gjitha parakushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në Shkup.
Kancelari gjerman theksoi se është i kënaqur me forcën politike që, siç tha ai, bëri të mundur arritjen e marrëveshjes me Greqinë. Prandaj, edhe pjesa tjetër e detyrës duhet të ketë sukses dhe kjo është diçka për të cilën kanë punuar shumë qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Qeveria. Tani, theksoi Scholz, ne duhet të bëjmë çdo përpjekje.
Maqedonia e Veriut, sipas tij, i ka përmbushur të gjitha parakushtet dhe theksoi se ai personalisht do të përpiqet për hapin e ardhshëm.
Negociatat për anëtarësim duhet të fillojnë dhe unë do të avokoj për këtë. “Unë inkurajoj Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë angazhimin e saj në rrugën e reformave”, tha Scholz.
Marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, siç vlerësoi ai, janë jo vetëm politike, por edhe ekonomike, të larmishme dhe të ngushta. Kjo, është një arsye plus pse Gjermania e mbështet Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se kjo është vizita e dytë e kancelarit gjerman, e cila, sipas tij, dëshmon për marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira ndërmjet dy vendeve./alsat