Scholz: Ka përkushtim për zbatim të marrëveshjeve dhe Asociacionit

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se bisedimet e së enjtes me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk mund të konsiderohen të dështuara pasi, sipas tij, ka “përkushtim për zbatim të marrëveshjeve bazë, të Aneksit të Ohrit dhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

“Në këtë situatë shumë pikëlluese, ishim në gjendje të ecim përpara dhe nuk ndaj qëndrimin tuaj (me pyetjen e gazetarit se bisedimet dështuan). Por mendoj se nëse bëjmë vlerësim politik, mendoj se mund të ndaj vlerësimin tim se të dy, Kurti dhe Vuçiqi, thanë që konceptin dhe propozimet konkrete, marrëveshjet Bazë dhe atë të Ohrit dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, do t’i implementojnë. Këtë e kanë thënë qartë”, ka thënë Scholz në një konferencë për media të premten, një ditë pas diskutimeve me Kurtin e Vuçiqin në Bruksel.

Ai e ka vlerësuar këtë si hap të madh përpara.

I pyetur për sanksionet ndaj Kosovës dhe jo ndaj Serbisë, Scholz ka thënë se me rëndësi është se si të ndërtohet e ardhmja e mirë dhe paqësore për qytetarët në Kosovë dhe në Serbi.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka pasur qëndrim të njëjtë si Scholzi. Sipas tij, “ka përkushtim” për zbatim të marrëveshjeve.

“Patëm dy takime të rëndësishme dhe çfarë nxorëm ishte se kishte përkushtim të qartë nga të dy liderët për të zbatuar marrëveshjet që ishin në tavolinë dhe do të vazhdojmë të insistojmë se duam që ato marrëveshje të zbatohen sepse kjo është rruga drejt normalizimit”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Pas takimeve të enjten, nga Qeveria e Kosovës kanë njoftuar se kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, duke e përfshirë edhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të prezantuar javën e shkuar nga diplomatët euroatlantikë. Por, sipas komunikatës së Qeverisë, nënshkrimi i marrëveshjes është refuzuar nga Serbia. E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se “nuk bëhet fjalë për nënshkrim apo mosnënshkrime të ndonjë gjëje”, porse për “zbatimin e asaj që është nënshkruar dikur, apo që është rënë dakord ndërkohë”, duke iu referuar propozimit ndërkombëtar për Asociacionin. Ndërmjetësi në dialog, Josep Borrell, si përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, ka thënë se “palët kanë vënë parakushte për marrëveshjet, e që nuk ishin të pranueshme për palët tjera”.


Shtuar 27.10.2023 17:18