Opozita do të “copëtohet” në tre grupe parlamentare, jo në formë përçarëse, por si një “truk” që të ketë në dispozicion më shumë minuta në seancat parlamentare të këtij sesioni në Kuvendin e Shqipërisë.
Ashtu sikurse kemi njoftuar edhe më herët Sali Berisha do “delegojë” te partia e Ilir Metës dhe katër të tjerë te Fatmir Mediu.
Burime për mediat bëjnë me dije se “lapsi” për te Partia e Lirisë ka zënë Ina Zhupën, Ledina Alollin dhe Klodiana Çapjan. Tre deputetet do të kalojnë te kolegët e aleancës me qëllim që që të plotësojnë numrin e nevojshëm (7 ligjvënës) për krijimin e një grupi më vete.
Kryetar i këtij grupi është zgjedhur Tedi Blushi, ndërsa nënkryetar Edmond Haxhinasto. Sekretare është zgjedhur Bruna Haxhiu, ndërsa zëdhënëse e grupit Erisa Xhixho.
Ndërkohë më herët Newsbomb njoftoi se grupi tjetër parlamentar i cili pritet të krijohet është ai i “Aleatëve” që do të kryesohet nga Fatmir Mediu.
Ky plan i kreut të PD-së Sali Berishës synon të shfrytëzojë në maksimum rregulloren e Kuvendit që u jep më shumë kohë në foltore partive me më shumë grupe parlamentare.