“Sa e mrekullueshme”, Dua Lipa uron me fjalë zemre presidenten Vjosa Osmani

Ditën e djeshme Vjosa Osmani u shpall Presidente e Kosovës, duke shkaktuar reagime tejet pozitive kudo në rrjet. Kanë qenë të shumtë personazhet që e kanë mbështetur dhe uruar publikisht atë për detyrën e re, përmendim këtu Dafina Zeqirin, Ledri Vulën, Gashin, Arbana Osmanin, Era Istrefin, Rita Orën, etj. Së fundmi listës i është bashkuar edhe Dua Lipa. Ajo ka shpërndarë në Instastory një foto të Osmanit, duke shkruar “Urime, zonja Presidente. Sa e mrekullueshme të shohësh një grua në krye!” Dua Lipa është shumë e lidhur dhe e informuar me ngjarjet që ndodhin në Kosovë e Shqipëri, e sigurisht e prisnim një reagim të tillë.

Osmani siguroi 71 vota, teksa në raundin e tretë të zgjedhjeve në Kuvendin e Kosovës, morën pjesë 82 deputetë. Në raundin e parë,  Osmani nuk arriti të triumfonte. Ajo kaloi sfidën e parë, pasi votuan 81 deputetë, por 12 prej tyre u shpallën të pavlefshme. Për Osmanin kishin votuar vetëm 69 deputetë, të pamjaftueshme për ta bërë atë Presidente.

Osmani është presidentja e gjashtë e republikës së Kosovës dhe e dyta grua që mban këtë detyrë. Osmani u zgjodh Presidente në raundin e tretë, ku ligji siguron që mund ta marrë postin edhe me 61 vota. Ndërsa për kandidatin tjetër, Nasuf Bjeta, nuk votoi askush.


Shtuar 6.04.2021 10:48