Rusia ka ndalur furnizimet me gaz për në Evropë më 31 gusht, derisa janë rritur shqetësimet se Moska po zvogëlon dërgesat e gazit për t’iu bërë presion shteteve perëndimore.
Dërgesat ranë në zero në gazsjellësin Rrjedha Veriore 1 – që sjell gaz për në Gjermani përmes Detit Baltik – sipas të dhënave nga pikat hyrëse që lidhin tubacionin me rrjetin gjerman të gazit.
Ndërprerja e furnizimeve me gaz është bërë për shkak të mirëmbajtjes që pritet të zgjasë deri në orët e para të 2 shtatorit.
Gjiganti i energjisë ruse, Gazprom, tha se është e “nevojshme” një punë treditore në kompresorin e gazsjellësit.
Por, shefi i Agjencisë federale të Rrjetit në Gjermani, Klaus Mueller, tha se vendimi është “teknikisht i pakuptueshëm”. Ai paralajmëroi se kjo ndalesë e gazit ka të ngjarë të jetë thjesht një pretekst nga Moska për të përdorur furnizimet me energji si kërcënim.
Ndërprerja e dërgesave të gazit ka rritur frikën se Rusia po ndalon furnizimet për t’iu bërë presion shteteve perëndimore dhe për të prishur unitetin e tyre ndaj sanksioneve të vendosura ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës. Por, Rusia hedh poshtë një akuzë të tillë, shkruan REL.
Edhe në korrik, Rusia kishte ndaluar përkohësisht dërgesat e gazit natyror në Gjermani për shkak të disa punimeve të përvitshme në mirëmbajtje.
Ndërprerjet dhe zvogëlimi i dërgesave të gazit nga Rusia kanë rritur çmimet e gazit dhe kanë detyruar qeveritë evropiane që të përpiqen të sigurojnë furnizime alternative para stinës së dimrit