Teksa lufta në Ukrainë po vijon që prej muajit shkurt, duket se rusët do të përfundojnë në Hagë për krime lufte.
Lajmi bëhet i ditur nga CNN, sipas të cilit, prokurorja e lartë e Ukrainës dhe zyrtarë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe Bashkimi Europian do të takohen sot në Hagë për të diskutuar mbi hetimin e krimeve të luftës të kryera gjatë konfliktit Rusi-Ukrainë.
Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës Iryna Venediktova udhëtoi në qytetin holandez për të koordinuar ndarjen e provave, strategjinë e ndjekjes penale dhe kuadrin ligjor për sjelljen e kriminelëve të luftës para drejtësisë.
“Bota është pranë Ukrainës për të gjetur prova në mënyrë që Rusia të mbajë përgjegjësi përpara drejtësisë për mizoritë që forcat e saj kanë kryer në tokën tonë”, shkroi Venediktova në Tëitter nga Haga.
Në një deklaratë përpara nisjes së konferencës, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet tha: “Sistemi kombëtar i drejtësisë i Ukrainës ka ndërmarrë tashmë hapa të rëndësishëm hetimi dhe gjykimi, të cilët ne po i monitorojmë.
Duke pasur parasysh gjerësinë e sfidave me të cilat po përballet, është thelbësore që komuniteti ndërkombëtar të vazhdojë të mbështesë rritjen e kapaciteteve për hetimet e Ukrainës për krimet e supozuara të luftës të kryera në territorin e saj, pavarësisht nga rrethanat.”
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba pritet të japin deklaratat gjatë ditës së sotme. Venediktova tha se Ukraina ka identifikuar më shumë se 600 të dyshuar rusë për krime lufte dhe ka filluar ndjekjen penale rreth 80 prej tyre.
Kujtojmë se dy ushtarë rusë tashmë janë dënuar sipas ligjit penal të Ukrainës për krime lufte.