Është beteja vendimtare e luftës: Pse Mariupol mund të bëhet “një varr” për ushtrinë ruse

Nga Thomas Mackinson “Il Fatto Quotidiano”

“Mjerisht Lufta për Donbasin do t’ju kujtojë Luftën e Dytë Botërore: Mijëra tanke, avionë, artileri. Isha shumë i qartë: Për ta fituar një luftë duhen armë”. Në këtë mënyrë Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, tërhoqi vëmendjen e vendeve të aleancës në një konferencë për shtyp në selinë qendrore të NATO mbi zhvillimet e fundit të luftës, duke komentuar tërheqjen e rusëve nga Kievi dhe pjesa perëndimore e vendit për t’i ri-fokusuar forcat e tyre në rajonin e Donbasit.

Në veçanti në Mariupol, “qytetin martir”, i cili prej 7 javësh i ka rezistuar rrethimit, dhe që do të jetë epiqendra ushtarake, politike dhe simbolike e të ashtuquajturës fazë “B”, plani sulmues për të “shpëtuar fytyrën” pas dështimit të sulmit të rrufeshëm që nisi më 24 shkurt në disa fronte.

Për kryebashkiakun e Mariupol Vadim Boychenko, në një muaj qyteti ka pësuar humbjet e jetëve të mbi 5 mijë njerëzve, teksa nuk dihet numri i ushtarëve rusë të vrarë gjatë rrethimit. Prej ditësh, burimet ukrainase i referohen krematoriumeve të lëvizshme që rusët i përdorin për të djegur trupat e viktimave të tyre.

Mariupol u bombardua në çdo lloj mënyre të mundshme: spitalet, shkollat, godinat civile, teatri i qytetit, dhe shumë godina të tjera u rrafshuan me tokën. “Vlerësohet se është shkatërruar 90 për qind e territorit urban, dhe 40 për qind e godinave janë të pariparueshme”- thotë kryebashkiaku.

E megjithatë “marrja” e Mariupolit nga rusët nëpërmjet një ofensive më intensive dhe përfundimtare, nuk do të jetë një “shëtitje në park”. Shumë analistë e cilësojnë atë të dënuar të bjerë shpejt, por menaxheri gjeopolitik i uebsajtit Difesaonline, David Rossi, mendon të kundërt.

Ai beson se Mariupol mund të bëhet “varri” i ushtarëve rusë. Eksperti ka monitoruar lëvizjet e trupave në terren dhe ka analizuar hartat e zonës, duke arritur në përfundimin e ministrit ukrainas Kuleba: beteja që paralajmërohet të nisë, do të jetë shumë e ngjashme me atë urbane që karakterizoi rezistencën dhe rënien e metropoleve të mëdha gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Do të luftohet shtëpi më shtëpi, metër për metër. E megjithatë sërish sipas Rossi, shpresa e rusëve për një kapitullim të shpejtë, mund të bjerë ndesh me një rezistencë që është e vështirë të thyhet. Në fakt, Mariupol mund të bëhet “varri masiv” i ushtarëve rusë.

Eksperti thotë se kjo nuk është aq shumë çështje fuqie. Por sepse pavarësisht shumë të vrarëve dhe të plagosurve nga radhët e ukrainasve, rusët i presin në qytet njësitë ende të organizuara, të mirë-stërvitura dhe mirë-armatosura (dhe janë gjithashtu shumë të motivuara nga imazhet e bashkatdhetarëve të vrarë.

Po cilat janë saktësisht këto njësi? “Në Mariupol ka ende grupe të rëndësishme të mbrojtjes ukrainase, si brigada e 10-të sulmuese e forcave tokësore, marina e 36-të me tre batalione. Pastaj është Garda Kombëtare e Ukrainës me brigadën e 12-të, si dhe batalioni i famshëm i Azovit, që është i angazhuar në mbrojtjen e rreth 1/5 së qytetit.

Më pas janë edhe forcat territoriale, të cilët janë civilë të stërvitur dhe vendosur nën urdhrat e Forcave të Armatosura. “Por forca e vërtetë është vetë teatri i kësaj beteje”- thotë Rossi. Sipas tij nëse Mariupol po reziston, kjo i detyrohet karakteristikave të qytetit që e bëjnë atë një fortesë të pathyeshme.

“Është një qytet i ndërtuar pranë njërit prej komplekseve më të mëdha të metalurgjisë së hekurit dhe çelikut në botë, Azostal, ku për gati një muaj krerët ushtarakë rusë kanë hedhur në luftime qindra njerëz dhe automjete çdo ditë, duke pësuar humbje të konsiderueshme”- thekson më tej ai.

Kur Zelensky ua përmendi qytetin e Genova politikanëve italianë, ai nuk e bëri këtë gjë rastësisht. “Edhe Mariupol shtrihet në një gji të vogël. Por ndryshe nga Genova, ai ka në mes këtë kolos industrial, që shtrihet në një sipërfaqe gjigante prej 50 km katrorë në pozicionin jug-perëndim dhe veri-lindje.

Pra sa një e treta e liqenit të Komos, dhe 3-fishi i bashkisë së Ladispolit. Kjo është “kalaja” e Mariupolit. Fakti që është bombarduar për javë të tëra e lehtëson mbrojtjen e tij, sepse ashtu si në luftën e Leningradit, çdo luginë, çdo grumbull rrënojash apo strukturë prej hekuri dhe betoni shndërrohej në një vatër të frikshme rezistence nga ata që e mbrojnë atë, dhe në një makth për ata që e sulmojnë duke luftuar në shesh të hapur.

“As buldozerët e blinduar, si ata që përdorën më sukses izraelitët e udhëhequr nga Ariel Sharon në vitin 2002, nuk mund të bënin dot asgjë: Dhe sot para tyre nuk ka gurë dhe armë, por divizione të armatosura me sisteme antitank dhe të stërvitur prej 8 vitesh për të mbrojtur vendin e tyre.

Edhe ata kanë në dispozicion kamionët amfibë, të përshtatshme për reagim të shpejtë nga deti dhe nga toka. Por as zbarkimi nga deti, nuk është më i lehtë për rusët. Kjo pasi zbarkimet e mundshme do të ishin të dukshme në çdo pikë të gjirit dhe do të ekspozoheshin ndaj zjarrit të mbrojtësve”.

Degëzimi i rrjetit hekurudhor në anën veriore të qytetit, krijon një hapësirë ​​ku mbrojtësit mund t’i godasin sulmuesit me thuajse asnjë mundësi kundërpërgjigje efektive. Në fund të fundit, aftësia e Mariupolit për të rezistuar, thotë Rossi, mund të shënojë një disfatë vendimtare për forcat e Putinit jo vetëm nga pikëpamja ushtarake, por edhe nga pikëpamja politike dhe simbolike.

“Mariupol ndodhet vetëm 5 kilometra nga rajoni i Donbasit, pra një nga territoret që pretendohet të aneksohet nga Putin, kontrolli i të cilit duhej të justifikonte pushtimin e Ukrainës. Në thelb, pa këtë qytet, po dështon edhe i ashtuquajturi “plani B”, i reduktuar në kontrollin vetëm të rajonit rusisht-folës të Ukrainës, që pas tërheqjes nga pjesa tjetër e vendit, dhe që po tregohet nga Moska si objektivi i vërtetë i të gjithë “operacionit ushtarak special ”. Një tjetër dështim, i cili do të ishte i vështirë për t’u fshehur. Por edhe për t’ia shpjeguar popullit rus./abcnews.al