Adnan Rrustemi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, u ka bërë thirrje përfaqësuesve të Partisë Demokratike të Kosovës që të jenë të pranishëm në seancën ku pritet të zgjidhet presidenti. Sipas tij, Kosovës nuk i duhen zgjedhje të parakohshme, por konsolidim i institucioneve.
Të lidhura
None found
Rrustemi theksoi se pas propozimit të fundit të kryeministrit Albin Kurti, shpreson që deputetët e PDK-së të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre dhe të marrin pjesë në seancë, fillimisht për të miratuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe më pas për të votuar kreun e ri të shtetit.
“Presim që deputetët e PDK-së të reflektojnë dhe të vijnë në seancë, të miratojmë ligjin dhe pastaj presidentin, me një angazhim paraprak se grupi i tyre parlamentar do të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit të Republikës”, u shpreh Rrustemi për RTK.
Ai theksoi se qytetarët nuk janë të interesuar për zgjedhje dhe se ligjvënësit mbajnë përgjegjësi kushtetuese e politike për t’i shërbyer interesit publik.
“Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje, ka nevojë për president, ka nevojë për stabilitet institucional, për t’u përballur edhe me Gjykatën Speciale e me të tjerat”, deklaroi ai.
Lidhur me kritikat e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili e quajti joserioze mënyrën se si Kurti prezantoi emra të mundshëm për postin e presidentit, Rrustemi u përgjigj se Vetëvendosja e kishte ftuar Hamzën në takime për të diskutuar pikërisht këtë çështje.
“Ne kemi qenë të interesuar dhe e kemi ftuar zotin Hamza në takime për të diskutuar, ndërkohë që ai ka refuzuar. Ne kemi qenë të interesuar që të ndërtojmë marrëveshje për presidentin e bashkë me të edhe për ligjin, por ai ka refuzuar që të flasë për presidentin”, tha Rrustemi.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka ndërmarrë disa veprime konkrete në përgjigje të kërkesës së PDK-së për Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke përfshirë procedimin e tij dhe miratimin në lexim të parë. Ai shtoi se partia e tij është e gatshme ta votojë edhe në lexim të dytë.
Rrustemi kritikoi gjithashtu PDK-në, duke vënë në dyshim nëse kjo parti e ka marrë ndonjëherë seriozisht projektligjin për Dhomat e Specializuara.
“Unë kam përshtypjen që zoti Hamza po e demaskon të vërtetën e gjithë pozicionit politik të PDK-së, që nuk e ka pasur asnjëherë seriozisht projektligjin për Dhomat e Specializuara”, u shpreh ai.
Në fund, Rrustemi shtoi se Vetëvendosja ka qenë e hapur gjatë gjithë javës për bisedime me PDK-në rreth çështjes së presidentit, ndërsa hodhi poshtë kushtin që marrëveshja për kreun e shtetit të lidhet vetëm pas miratimit të projektligjit në lexim të dytë.
