Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka publikuar thirrjen për mbështetjen e protestës së pedagogëve në orën 11:00 të datës 5 tetor.
Protesta do të organizohet përballë universitetit Politeknik të Tiranës ku do të kërkohet plotësimi i kërkesave të pedagogëve, mes tyre rritja e pagave.
Thirrja e plotë:
Të dashur kolegë të IAL-ve publike!
Të dashur Profesorë të IAL-ve publike!
Të dashur pedagogë të rinj të IAL-ve publike!
Të dashur punonjës ndihmës akademikë dhe administrativ të IAL-ve publike!
Le të bëhemi këtë herë të gjithë bashkë në emër të misionit tonë akademik. Të gjithë
profesorët që dëshirojnë që studentët nesër të vazhdojnë misionin e tyre, sot duhet të
bëhen bashkë për ta bërë këtë profesion misionar të mirëpaguar.
Në datën 5 Tetor, ora 11:00, le të bëhemi të gjithë bashkë për të demonstruar se
misioni ynë i përbashkët akademik nuk mbetet vetëm brenda mureve të auditoreve. Do
na duhet të jemi të gjithë bashkë, jo thjesht për kërkesa ekonomike, por për një vlerësim
dinjitoz të punës sonë. Nuk po kërkojmë thjesht rritje të pagave, pasi vlera e punës tonë
do të jetë gjithmonë më shumë se çdo vlerë monetare.
Misioni ynë akademik nuk ka njësi matëse!
Ju bëjmë me dije se do të qëndrojmë fort për të konkretizuar kërkesat tona legjitime në
vlerësim të dinjitetit profesional, që ka për qëllim t’i shërbejë vetëm të mirës publike,
larg interesit të politikës së ditës.
Ftojmë kolegët e universiteteve në mbarë Shqipërinë të mbështesin Protestën e Datës
5 Tetor 2022, ora 11.00, para godinës së Universitetit Politeknik të Tiranës.
Le ta bëjmë këtë godinë Simbolin e Qëndresës Akademike!
Të nderuar drejtues të IAL-ve publike!
Lutemi të qëndroni në lartësinë e detyrës/funksionit tuaj akademik, duke mos penguar apo
intimiduar pjesëmarrjen në këtë protestë të stafit.
Note: Në vëmendjen tonë është mbrojtja e të drejtave të çdo pjesëmarrësi në protestë. Në
anën tonë kemi vetëm të drejtën dhe ligjin. Sipas nenin 197, pika 4, të Kodit të Punës
“Ndalohet çdo veprim që përfshin shtrëngim, cënim ose diskriminim ndaj punëmarrësve për
shkak të pjesëmarrjes apo jo në grevë”.