Rritet numri i të vdekurve në Kiev, pas bombardimeve ruse

Numri i të vdekurve nga sulmet që ndodhën në një objekt të furnizimit me energji në kryeqytetin ukrainas është rritur në tre, pasditen e sotme.

Më herët mendohej se dy persona kishin vdekur, ndërsa një i plagosur.

Tymi i dendur u ngrit në qiell pas disa shpërthimeve të forta në veri të Kievit, ku ka një termocentral, të martën në mëngjes.

Furnizimi me energji elektrike u ndërpre në disa pjesë të Kievit për shkak të “dëmtimit të një objekti kritik të infrastrukturës”, por më vonë u rivendosën, tha prodhuesi i energjisë DTEK.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se dy objektiva të infrastrukturës, të cilat ai nuk i identifikoi, kishin pësuar “dëm të konsiderueshëm”.

“Si rezultat i sulmit të sotëm në infrastrukturën kritike të Kievit, tre persona u vranë,” tha ai. “Këta janë punonjës të një prej objekteve të infrastrukturës kritike”./albeu.com


Shtuar 18.10.2022 16:20