Prokuroria e Posaçme kërkon burgim të përjetshëm për Festim Bexhdilin, i akuzuar për rrëmbimin me pasojë vdekjen të Jan Prenges, janarin e vitit 2020. Sipas SPAK, 30-vjeçari, me profesion kopshtar në resortin “Golden” dyshohet se ka marrë furgonin nga ambjentet e resortit së bashku me trupin e dyshuar si të pajetë dhe e ka transportuar jashtë ambjenteve ku dyshohet se e ka fshehur kufomën.
Për të bashkëpandehurin e tij, Olsi Turja, i akuzuar për “pengim të zbulimit të të vërtetës” u kërkua një dënim me 3 vite burg.
Mësohet se për Gentian Funiqin dhe Dritan Rexhepin çështja është e veçuar. Në seancë ka qenë i pranishëm vetëm Bexhdili. Akuzohet për grup të strukturuar kriminal. Pretenca është dhënë nga Prokuror Behar Dibra dhe Elida Kaçkini.
Kujtojmë se Jan Prenga u rrëmbye mesditën e 17 janarit të vitit 2020 në Kamëz. Më pas ai u nxor pa i pajetë nga një ‘Range Rover’, nga personat që e morën peng, brenda garazhit të kompleksit luksoz ‘Golden Resort’, me vendndodhje në fshatin Pjesëz në Shijak.
Ngjarja ku humbi jetën Jan Prenga lidhet me të shkuarën kriminale të vëllait të viktimës në Britani, ku bëhet fjalë për një sasi prej 300 kg kokainë, që ai nuk e ka dorëzuar te grupi i trafikantëve.