Ozra Aziz dhe Faisal Karimi janë një çift gazetarësh në Afganistan të cilët për shkak të pushtimit taleban janë strehuar në Shqipëri së bashku me dy fëmijët e tyre.
Në një video të publikuar nga kryeministri Edi Rama, ata tregojnë për profesionin e tyre, ikjen nga Afganistani dhe qëndrimin në Shqipëri.
“Unë kam qenë pedagoge në Universitet. Kam punuar si gazetare dhe burri im është gazetar. Jemi në një vend të mirë, në një hotel me 5 yje. Çdo gjë është e mrekullueshme por kur mendoj për babain dhe nënën time, për gjithçka që lashë pas, ndihem fajtore. Nuk mund të jem aq e lumtur sa doja të isha. Jam këtu me bashkëshortin dhe dy fëmijët e mi. Jam shumë e lumtur kur shoh njerëzit e Shqipërisë, ata janë shumë të këndshëm. Ata interesohen për ne dhe përpiqen të na ndihmojnë me aq sa munden”, tha Ozra.
Ndërsa në rrëfimin e tij, gazetari dhe pedagogu Faisal Karimi tregoi sesi pas largimit nga puna dhe shtëpia e kanë kërkuar talebanët.
“Kam punuar 12 vite në dy universiteti si profesor gazetarie. Kam trajnuar me mijëra gazetarë. Kur lashë zyrën dhe shtëpinë time, talebanët erdhën dhe pyetën fqinjët e mi për mua. Këtë ma tha një prej fqinjëve. Talebanët më kërkuan sepse ata më gjurmojnë mua si gazetar dhe familjen time. Gjurmojnë motrat dhe vëllezërit. Shumë media lokale dhe kombëtare kanë ndaluar tashmë transmetimin”, tha ai./albeu.com