Gazetarja Klodiana Lala e ftuar mbrëmjen e djeshme në emsionin “Open” deklaroi se shqiptarët e përfshirë në trafikun e drogës në Amerikën Latine mbulojnë disa role, përfshirë këtu edhe mbajtjen e tyre si peng gjatë një tregtie të madhe droge.
Sipas Lalës nëse një sasi droge nuk mbërrin në destinacion dhe mes grupeve kriminale dyshohet se ka një dekonspirim të brendshëm të informacionit pengu mund të vritet.
Lala po ashtu tha se autoritetet shqiptare janë të informuara për lëvizjet e këtyre grupeve kriminale, por janë të pafuqishme për të vepruar kundër tyre kur ka përfshirje të strukturave shtetërore dhe fuqi monetare.
“Shqiptarët janë bërë shumë të fuqishëm, por jo gjithmonë garantojnë drogën. Shumë prej tyre identifikohen si drejtues por nuk e dinë për kë punojnë. Shpesh ndodh që shqiptarët qëndrojnë peng gjatë mbërritjes së ngarkesave të drogës. Nëse ngarkesa nuk mbërrin ka një hetim brenda grupeve që bashkëpunojnë. Nëse nuk është për fajin e tyre mund të zgjidhet. Nëse ka teori për dekonspirim të brendshëm, pengu vritet. Një tjetër trafikant dëshmoi se ai shkonte në kishë, të tjerë në palestër,. Të gjithë ndjekin një ritual të caktuar për të hequr tensionin gjatë trafikimit të drogës.
Autoritetet shqiptare kanë të dhëna por janë të pafuqishme për t’i goditur këto grupe. Nuk besoj se Shqipëria mund të godasë ata që konsiderohen të paprekshëm. Para disa ditësh u arrestua një mjek në spitalin e Traumës, për të cilin shkuan një grup me policë të maskuar. Kjo shfaqje mund të ishte kursyer. U arrestua dhe një agjent i policisë së shtetit, ai që eskortonte Ervis Martinajn. Nuk kishte aksion të policisë për të. Kur ka përfshirje të strukturave shtetërore dhe fuqi monetare jemi përpara faktit që policia është e pafuqishme, jo se nuk ka informacion. Dritan Rexhepin e kemi pasur këtu, mund të ishte bërë shumë më tepër. Autoritetet tona kanë informacion por nuk kanë fuqi për të vepruar”, u shpreh Lala.