“Rikthehet” Paul Walker, publikohet traileri i “Fast X”, detaji që i bëri përshtypje audiencës

Është publikuar traileri për filmin e ri “Fast X” dhe pavarësisht efekteve, makinave të shpejta dhe aksionit, publiku i ekskluzivitetit të njohur është fokusuar në një gjë, personazhin e Paul Walker, Brian O’Connor, i cili “rikthehet.”

Aktori u nda nga jeta në vitin 2013 pas një aksidenti automobilistik në moshën 40-vjeçare, por ai mbetet “gjallë” në Fast & Furious. 

Prodhuesit e filmit, në konsultim me familjen e yllit të ndjerë, u siguruan që Paul Walker të mbetej në historinë e serisë së filmave që e bënë atë të famshëm.

Siç tha regjisori Louis Leterrier për TotalFilm: “Brian është gjallë dhe mirë në botën e Fast & Furious dhe ne e kemi përfshirë atë në filmat e mëparshëm. Në F&F9 shohim makinën e tij që vjen dhe kjo është diçka e planifikuar. Ky film lëviz mes të tashmes dhe të shkuarës”.

Më pas ai theksoi se familja e Paul Walker ishte dakord me këtë vendim. Personazhi i tij do të shfaqet me ndërprerje në film, si rikthim nga momentet e së kaluarës.

“Do ta shihni Brian në të kaluarën, jo në të tashmen. Është diçka që për t’u bërë duhej të kishte pëlqimin e të gjithëve. Familja Walker dëshiron që Paul të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj ekskluziviteti. Do të shihni se si do të bëhet kjo në këtë film. Thjesht duhej të ishte koha e duhur dhe mënyra e duhur”, tha regjisori.

Titulli i filmit është “Fast 10” dhe pritet të dalë më 19 maj 2023. Edhe pse në një moment u publikua se do të ishte i fundit, deklaratat e Diesel kanë konfirmuar se do të ketë një film të 11-të, i cili do të plotësojë historinë. Është një nga produksionet më të shtrenjta në historinë e Hollivudit, me një kosto deri në 340 milionë dollarë, ndërsa filmi i mëparshëm kishte kushtuar rreth 200 milionë./Albeu.com/


Shtuar 15.02.2023 17:10