Rikthehen takimet intime në burgje 1 herë në muaj, kushtet

Urdhri i ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj që lehtëson masat kufizuese anti-Covid në burgje është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi.

Vizitat e familjarëve rikthehen, por të kufizuara në jo më shumë se dy persona, ndërsa rikthehen edhe një herë në muaj takimet intime, me kusht që të dëshmojë se nuk është i infektuar, e ka kaluar, apo është vaksinuar nga Covid.

“Të burgosurit meshkuj dhe femra kanë të drejtën e vizitës 1 (një) herë në muaj, duke garantuar higjienën e nevojshme, kontrollin shëndetësor gjatë hyrjes, kontrollin e pasjes nga ana e vizitorit të vërtetimit nga autoritetet shëndetësore përkatëse ose analizës/dëshmisë serologjike mbi shërimin rishtazi nga COVID-19, testit të vlefshëm negativ nga infektimi me infeksionin e shkaktuar nga COVID-19 ose vërtetimit/dëshmisë së vaksinimit të plotë anti-COVID-19”, thuhet në urdhër.

Vendimi përcakton në detaje takimet, lejet, distancimin fizik, shmangien e grumbullimeve, por rikthen aktivitetet kulturore e sportive dhe vizitat e familjarëve të të dënuarve. Gjithashtu, të dënuarit e rinj duhet t’i nënshtrohen karantinës 14-ditore brenda burgut ku do të vuajnë dënimin.

Urdhri thotë se të burgosurit e sapoardhur në institucion të mbahen nën mbikëqyrje, në ambiente të ndara nga të burgosurit e tjerë, për një periudhë 14-ditore.

Burgjeve u kërkohet që të garantojnë, jo më pak se 4 (katër) herë në muaj, të komunikimit telefonik dhe të alternativave të tjera të komunikimit elektronik të të burgosurit me anëtarët e familjes, të afërmit dhe në raste të veçanta me të tretët.

Kërkohet shmangia e grumbullimeve të të burgosurve dhe kur kjo është e pamundur të respektohet distanca e sigurisë prej të paktën 1 metër mes tyre.

Leja shpërblyese mbetet e pezulluar e po ashtu edhe leja e veçantë, me përjashtim të rasteve të vdekjes së një familjari.


Shtuar 14.06.2021 18:20